Aktuale
Këto janë 5 faktet interesante për arkitektin Kengo Kuma

Me një vizion të ringjalljes dhe ri-interpretimit të traditave japoneze të shek. XXI, Kengo Kuma nuk është një arkitekt “i dhënë pas famës”. Disa prej veprave më të njohura dhe më kontaversale të tij përfshijnë Qendrën për Kulturë dhe Turizëm, në Asakusa të Tokios dhe muzeun “Nagasaki”.
“Dua ta gjej një ekuilibër që shprehë formën dhe materialin. Forma e ndërtesës duhet të jetë aq delikate sa të jetë e mundur sepse atëherë karakteri i materialit mund ta zbulojë vetëveten. Nëse ekziston balancë, atëherë projekti është i bukur”- Kengo Kuma
Këtu janë 5 fakte interesante rreth jetës së arkitektit japonez.
Kengo Kuma e konsideroi Kenzo Tange, kumbarin e tij
Babai i Kumas, ishte gjithashtu arkitekt dhe e donte aritekturën moderne, gjë që e çoi atë në ndërtesat e Kisho Kurokawa, Kunio Maekawa e shumë personaliteteve tjera.
Megjithatë, Kuma ishte veçanërisht i impresionuar nga Kenzo Tange dhe ecte në hapat e tij. Kuma pa diçka unike tek projektet e Tangesë që nuk ekzistonte në dizajnet tjera moderne. Kjo ishte për shkak se Tange dinte të krijonte simbole japoneze nga teknologjia që ishte në dispozicion.
Kuma ishte shumë i impresionuar nga mënyra se si Tange kombinonte traditën japoneze me fjalorin bashkëkohorë. Ai madje pati deklaruar se Kenzo Tange dhe ndërtesat që ai kishte projektuar kishin qenë ndër arsyet kryesore pse ai kishte vendosur të bëhet arkitekt. Ndikimi i tij i thellë nga Tange është veçanërisht i dukshëm në veprat e tij të fundit.
Ai ka një simpati të madhe për drurin
Kengo Kuma është një nga arkitektët më të suksesshëm që punojnë sot në Japoni. Megjithatë, ai është veçanërisht i njohur për përdorimin e drurit, të cilin e inkorporon në ndërtesa të shumta. Ndërtesat më të famshme të tij, me drurin si element kryesorë përfshijnë Muzeun e urës së drurit “Yusuhara”, hotelin “Nagasaki” në jugperëndim të Japonisë dhe spa-n “Yusuhara”, në Kinë.
Ai po përdorë drurin për të ndërtuar stadiumin për Olimpiadën e Tokios 2020. Ai drurin e siguron nga qytetet japoneze të cilat u shkatërruan nga cunami në vitin 2011. Në fakt, Kuma beson se betoni dhe çeliku janë materiale të shekullit të kaluar. Ai ka deklaruar se materiali kryesor për shekullin XXI do të jetë përsëri druri.
Ai i pranon gabimet e tij
Siç u përmend më parë, Kengo Kuma nuk është një arkitekt arrogant. Qasja e tij është krejt ndryshe. Realisht, atij nuk i pëlqejnë shumë ndërtesat e vjetra eksperimentale, të tilla si ndërtesa “M2” në Tokio, e cila ka një përzierje eklektike të stileve, e të cilën vet Kuma e projektoi në vitin 1991.
Ai është një “avokat” i traditave japoneze
Pas dizajnimit të ndërtesës “së turpshme”, “M2” në Tokio, Kuma studioi në Universitetin e Kolombias në Nju Jork, ku zhvilloi ide të reja. Në fakt, ai kuptoi se arkitektura tradicionale japoneze e drurit është aq e madhe sa arkitektura antike romake. Prandaj, rezultati i përvojës së tij amerikane ishte të kthehej në rrënjët e tij japoneze.
Kuma është i obsesionuar me natyrën
“Ndërtesat e mia janë gjithmonë pjesë e vendit, pjesë e lokacionit. Unë dua të bashkoj ndërtesat me mjedisin sa më mirë që mundem. Harmonia është gjithmonë qëllimi i praktikës sime “, shprehet Kuma.
“Unë mendoj se arkitektura ime është një lloj kornize e natyrës. Me të (arkitekturë) ne mund ta përjetojmë natyrën më thellë dhe më intimisht. Transparenca është një karakteristikë e arkitekturës japoneze, përpiqem të përdor materiale të lehta dhe natyrore për të ‘marrë’ një lloj të ri të transparencës ” – Kengo Kuma
Qasja e dizajnit të Kumas është të përmirësohet dhe të shtohet në mjedis, jo të krijohen ndërtesa dominuese./Ndërtimi.info/
