Featured
Punëtorët e “Trainkos”-it dhe të “Infrakos”-it mbesin pa rroga
Ndalja e qarkullimit të trenave në relacionet Prishtinë – Hani i Elezit dhe Prishtinë – Pejë nga kompania “Trainkos” ka sjellë në gjendje të rëndë edhe kompaninë tjetër publike “Infrakos”. Nga një shtatori punëtorët e këtyre dy kompanive mund të mbesin pa paga nëse nuk gjendet një zgjidhje institucionale.
Më shumë se 550 punëtorë të dy ndërmarrjeve publike (NP) “Trainkos” dhe “Infrakos” nga muaji shtator mund të mbesin pa paga nëse institucionet e Kosovës nuk bëjnë ndonjë zgjidhje financiare. Në fillim të muajit gusht në mungesë të mjeteve kompania publike “Trainkos” ka ndalur operimin e trenave në dy relacionet Prishtinë – Hani i Elezit dhe Prishtinë – Pejë. Por ndalimi i trenave ka sjellë në gjendje të rëndë financiare edhe NP-në tjetër publike, e cila menaxhon me infrastrukturën hekurudhore – “Infrakos”, e ku po kanë probleme serioze në sigurimin e pagave për punëtorët, transmeton zeri.info.
Agron Thaçi, kryeshef në ndërmarrjen publike “Infrakos”, thotë për gazetën “Zëri” se gjendja financiare në kompaninë që ai drejton është e rëndë. Ai thotë se është duke u munduar të sigurojë gjysmën e pagës për këtë muaj. “Ndalja e trenave ka reflektuar direkt në kompaninë tonë. ‘Trainkos’ neve na ka borxh më shumë se 700 mijë euro.
Muajin e fundit ne nuk kemi pasur të hyra dhe kështu do ta kemi shumë të vështirë që t’i sigurojmë pagat për punëtorët e kompanisë. Ne po mundohemi që të sigurojmë gjysmë page për rreth 320 punëtorë sa janë në ndërmarrjen, të cilën unë e menaxhoj”, ka thënë Thaçi për gazetën “Zëri”. Sipas tij, situata mund të zhbllokohet vetëm me formimin e institucioneve e ku më pas me rishikim të buxhetit do të ishin ndarë mjetet për t’i nxjerrë nga kriza financiare dy kompanitë publike.