Aktuale
Me ndryshimet e synuara në Ligjin për BQK-në do të publikohen emrat e bankave që gjobiten

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) vazhdon të insistojë në lejimin e publikimit të emrave të institucioneve bankare të cilat i dënojnë për shkelje ligjore dhe të drejtat e klientëve.
Në një përgjigje për KTV-në guvernatori, Fehmi Mehmeti, ka deklaruar se pret përkrahjen et ë gjithave institucioneve vendore dhe ndërkombëtare që me ndryshimin që do t’i bëhet ligjit të përfshihet kjo.
Madje për këtë arsyeje thotë ta ketë kërkuar përkrahjen e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), i cili në muajin maj pritet ta përfundojë raportin me rekomandimet për ndryshimin në ligj.
Por të kundërtën e thotë përfaqësuesi i FMN-së për Kosovë Ruud Vermeulen.
Ai thotë se çdo praktikë e cila do ta dëmtonte stabilitetin financiar është e preferueshme të mbetët e fshehtë.
E informuar me këtë qëndrim të BQK’së nuk është Shoqata e Bankave të Kosovës. Kryetari i kësaj shoqate, Petrit Baliu thotë se janë kundër publikimit të emrave pasi një veprim i tillë do ta rrezikonte stabilitetin e bankave komerciale si dhe vendit.
Guvernatori Mehmeti ka thënë se ankesat më të mëdha të klientëve drejtuar BQK’së për baka janë për kategorizim të kredive dhe mbyllje të llogarive.
Sipas të dhënave të BQK’së numri i ankesave ndaj bankave kanë shënuar rritje çdo vit. në vitin 2016 në BQK janë ankuar 224 klientë, ndërsa në vitin 2017 në BQK janë ankuar 298 klientë, kurse në vitin që lamë pas (2018) në BQK numri i ankesave ka shkuar në 471.
E vetëm në muajin e parë të këtij viti 36 klientë të bankave komerciale i janë drejtuar BQK’së për ankesa.
BQK nuk ka ofruar të dhëna me numrin e gjobave si dhe vlerën e tyre.
