Aktuale
Zotimet e papërmbushura për Prishtinën më 2018 – parkingjet, parqet, shkollat, harta zonale…

Me 100 zotime, Shpend Ahmeti i hyri garës në vitin 2017 për një post tjetër në krye të Komunës së Prishtinës.
Doracaku premtues, ndër të tjera, kishte edhe kohën se kur do të realizoheshin premtimet.
Banorët e një pjese të Qendrës e nisën muajin e parë të vitit të ri me protesta kundër zhurmës nga kafiteritë deri në orët e vona të natës. Rregullorja që iu premtua atyre në vitin 2019, do duhej të ishte e përfunduar më 2018.
“Në vitin 2018 do të hartohet një rregullore e re e cila do t’i marrë parasysh qëndrimet e qytetarëve dhe grupeve të interesit për t’i adresuar këto ankesa”, thuhej në zotimin e dhjetë të Ahmetit, raporton “038” i KTV-së.
Mungesa e hapësirave për parkingje, vazhdon të jetë problem për Prishtinën.
Në 100 zotimet, Ahmeti ishte zotuar se zgjidhjen e këtij problemi do ta niste në janar të 2018-s përmes funksionalizimit të Ndërmarrjes Publike Komunale “Prishtina Parking”. Por, kjo ende nuk ka ndodhur, pavarësisht krijimit të ndërmarrjes më 2016.
Vitin që lamë pas nuk ka filluar as projekti i parkingut nëntokësor me 500 vend-parkime në hapësirën e Fakultetit të Filologjisë, ndonëse zotimi ka qenë i tillë.
Mosrealizimi i këtyre zotimeve të Shpend Ahmetit gjatë vitit 2018, për Lëvizjen Vetëvendosje, ka ndodhur vetëm për një arsye.
“Shpend Ahmeti, motor të lëvizjes e ka pasur Vetëvendosjen. Ahmeti nuk di dhe nuk mund të ecën vetë pa Lëvizjen. Arsyeja që është larguar ka qenë kjo: që nuk ka mund ta mbajë presionin ose kërkesën brenda lëvizjes për punë të vazhdueshme dhe në shërbim të qytetarëve. Ai, në njëfarë mënyre, është mësuar me jetën luksoze të tij, me jetën e natës në diskoteka dhe kafiçat ku më shumë përkujdeset për ta sesa për qytetarët. Tashmë është edhe kryetar i një subjekti, është edhe kryenegociator në bisedime dhe kështu teknikisht e ka të pamundur të merret me problemet dhe hallet e qytetarëve”, ka thënë Eman Rrahmani, asamblist i Lëvizjes Vetëvendosje.
Kur Shpend Ahmeti dhe Lëvizja Vetëvendosja kishin ndarë rrugët, zyrtarë të kësaj të fundit kishin thënë se do të angazhoheshin që kryetari t’u përmbahej zotimeve të dhëna.
Në Iniciativën për Progres (INPO), e cila monitoron punën e Kuvendit Komunal, thonë se rezultatet e një analize të tyre tregojnë se janë realizuar nëntë premtime të Ahmetit.
Intensitetin e kryerjes së punëve, aty e vlerësojnë të ulët.
“Nëse vazhdon me këtë intensitet të punëve, i bie që deri në fund të mandatit, kryetari i Komunës do të arrijë t’i realizojë diku 36 premtime apo 36 për qind të premtimeve. Këto nëntë premtime sa janë realizuar, janë të papërfillshme sa i përket mirëqenies së qytetarëve ose rëndësisë që kanë për nga nevojat e qytetarëve”, ka thënë Qëndrim Arifi nga INPO.
Në vitin 2018 do të duhej të funksionalizohej edhe bileta e integruar, që vlen në gjithë transportin publik.
Deri më tash, është krijuar një biletë por që vlen vetëm për autobusët e ndërmarrjes publike “Trafiku Urban”.
“Po ashtu, gjatë vitit 2018, do të bëhet sistemi i integruar i biletave dhe pagesat pa para të gatshme për ta shtuar transparencën dhe efikasitetin”, thuhej në zotimin e 21-të.
Sa i përket hapësirave rekreativo-sportive, ishin planifikuar një milion euro për ndërtimin e katër parqeve të reja nëpër lagjet si, Kodra e Trimave/Arbëri, Kolovicë, Mati 1 dhe Breg të Diellit. Nuk është ndërtuar asnjëri.
Prona e qytetarëve ishte premtuar se do të trajtohej në mënyrë të barabartë dhe pa diskriminim në hartën zonale, e cila, sipas Shpend Ahmetit, do të përfundonte më 2018 me pjesëmarrje të qytetarëve, shoqërisë civile dhe ekspertëve.
Megjithatë, ky plan rregullativ për qytetin ende nuk është përfunduar.
Ndonëse trualli është ndarë dhe lokacioni është caktuar, nuk ka përfunduar ndërtimi i Qendrës për Autizëm dhe Sindromën Down.
“Qendra do të ndërtohet gjatë vitit 2018 dhe pritet ta fillojë punën në fillimin e vitit 2019”, thuhej në premtimin për këtë qendër.
Pjesë e planit prej 100 zotimeve, ishin edhe ndërtimi i pesë shkollave fillore në kryeqytet. Mirëpo, punimet për to nuk kanë nisur në lagjet si, “Mati 1”, “Kalabria”, “Sofalia” dhe “Veternik”, me përjashtim të asaj në “Arbëri” që ka përfunduar.
