Aktuale
Rikonstruktimi i rrugës “Agim Ramadani” do t’i kushtojë Prishtinës 750 mijë euro

Ndër premtimet elektorale të kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmetit, ka qenë edhe rikonstruktimi i rrugës “Agim Ramadani”. Më në fund, duket se ky projekt do të fillojë të realizohet. E investimet që përfshijnë rrugën, trotuaret dhe hapësirat gjelbëruese, buxhetit të komunës do t’i kushtojnë 750 mijë euro.
Së shpejti, qytetarët të cilët përdorin për qarkullim rrugën “Agim Ramadani” nga udhëkryqi i Mensës së Studentëve e deri tek rruga “Ilir Konushevci”, do të duhet të gjejnë rrugë alternative. Kjo pasi kjo rrugë do të jetë në rikonstruktim.
Komuna e Prishtinës do të fillojë së shpejti me procedurat e prokurimit, për të shpallur tenderin për rikonstruktim të rrugës.
Në rikonstruktim përfshihet rruga, trotuaret si dhe hapësirat gjelbëruese.
Megjithëse komuna nuk ka ende ndonjë datë kur pritet të fillojnë këto punime, zëdhënësi i i Komunës së Prishtinës, Adonis Tahiri, ka thënë për Express se kjo do të bëhet gjatë këtij viti.
“Këtë vit është paraparë rikonstruktimi i plotë i rrugës “Agim Ramadani”, nga udhëkryqi i Mensës së Studentëve e deri tek rruga “Ilir Konushevci”, dhe shumë shpejt do të nisin procedurat e prokurimit. Me këtë rikonstruktim parashihen të gjitha intervenimet e nevojshme infrastrukturore, duke përfshirë rrugën, trotuaret, hapësirat gjelbëruese, e të ngjashme”, ka treguar Tahiri.
Ai ka theksuar se investimet e përgjithshme në këtë zonë do të kapin vlerën prej 750 mijë eurosh dhe se qëllimi është që ky rikonstruktim të përfundojë brenda këtij viti.
Ndërkohë që gjatë vitit 2018, instituti GAP ka grumbulluar 81 premtimet e Shpend Ahmetit, dhe ka njoftuar se vitin e kaluar deri me datën 9 shkurt nuk ka nisur së realizuari asnjë premtim që Ahmeti kishte dhënë.
Po ashtu, GAP ka bërë të ditur se nga 81 premtime, gjatë vitit 2018 kanë përfunduar vetëm 6 prej tyre, 3 kanë mbetur përgjysmë, 23 kanë filluar të realizohen, ndërsa 49 prej tyre nuk kanë filluar fare.
