Aktuale
“Matt + Fiona”, së bashku me fëmijët me autizëm, krijojnë një shesh unik lojrash

Arkitekti Matthew Springett dhe edukatorja Fiona MacDonald, kanë bashkëpunuar me fëmijët me autizëm për të krijuar një shesh unik lojrash, për shkollën “Phoenix”, që gjendet në Londër.
Struktura e re ngjyrë blu rezultoi të jetë një hapësirë shumë e përdorshme për të luajtur. Gjëja më e rëndësishme në këtë proces ishte përfshirja e fëmijëve në projektim dhe ndërtim, shkruan “Dezeen”, transmeton Ndërtimi.info.
Sipas edukatores MacDonald, njohja me mjedisin është veçanërisht e rëndësishme për të rinjtë me autizëm.
“Shkolla ‘Phoenix’ po zgjerohet dhe po ecën përpara, prandaj mësuesit ishin të etur që të sjellin diçka të dallueshme për shkollën, diçka të cilën nxënësit do e ndjenin si të tyre”, u shpreh edukatorja MacDonald.
Për krijimin e dizajnit të kësaj struktureje, të gjithë nxënësit ishin të lirë të paraqesin idetë e tyre.
E idetë më pas u vlerësuan nga një grup i vogël studentësh, të cilët vepruan si kuratorë dhe u bashkuan për të krijuar strukturën në letër. Modeli i tyre është përdorur si dizajn përfundimtar.
Sheshi i lojrave, që u ndërtua me ndihmën e vullnetarëve, është ndërtuar nga një kornizë e thjeshtë e parafabrikuar, duke përdorur drurin si element kryesorë.
Ky përdorim i mjeteve të parafabrikuara mundësoi që sheshi i lojërave të ndërtohet brenda pak javësh.
“Fëmijët arritën të shohin diçka të imagjinuar dhe ambicioze të bëhet realitet brenda pak javësh, një eksperiencë jashtëzakonisht frymëzuese”, u shpreh MacDonald.
Sipas Springett dhe MacDonald, përfshirja e studentëve në gjithë këtë proces jo vetëm që u ka dhënë atyre autoritet por edhe është krijuar një shesh shumë i bukur.
“Të rinjtë – në veçanti ata me vështirësi në mësim – rrallë pyeten për atë që kanë nevojë nga mjedisi i ndërtuar, edhe pse në fakt ata janë ekspertë, veçanërisht kur bëhet fjalë për terrenet sportive”, tha MacDonald.
Ky proces bashkëpunimi i jep më shumë hapësirë të rinjëve të shprehen dhe i fuqizon ata që të japin idetë e tyre./Ndërtimi.info/
