Aktuale
Veseli: Taksa të pezullohet, konfrontimi me SHBA-të s’i bën hajr vendit tonë

Kryeparlamentari dhe kryetari i PDK-së, Kadri Veseli ka komentuar sonte zhvillimet e fundit në vend, në veçanti taksën 100% ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës.
Veseli ka vlerësuar se kjo taksë ka qenë dhe është vendim i drejt i institucioneve të Kosovës, dhe se ajo do të vazhdoj të qëndrojë.
Sipas tij, me vet faktin që vendi është përballur me një agresivitet, taksa ka qenë ka qenë në interes të Kosovës e që e kanë shkaktuar vet shtetet përkatëse.
“Tani po flasim jo për taksën por për marrëdhëniet me SHBA-të dhe ndërkombëtarët, pasi Kosova vepron me një shtet që është historik, jetik, si SHBA-të dhe pikërisht këtu ka ardh propozimi për suspendimin e taksës, e që është pas kërkesës së presidentit Donald Trump”, ka thënë Veseli në RTV Dukagjini.
Sipas tij, e mira është se në momentin e vënies së taksës dhe deklaratës së fundit të SHBA-ve, bëhet fjalë për suspendim e jo heqje.
“Kemi marr një vendim që është në të mirë të Kosovës. Ne nuk do ta heqim taksën nga Serbia dhe BeH, derisa ata të njohin vendin tonë. Të gjithë duhet t’iu jemi falënderues SHBA-ve sepse do të qëndrojnë pas nesh, edhe pas kësaj situate kalimtare. Është një material që është i shkruar dhe është dorëzuar nga unë, e për çka është njoftuar edhe kryeministri, se nëse pas fazës 120 ditore nuk ka ndryshime, do të vazhdojmë me masën e reciprocitetit, e pastaj janë edhe disa kushtëzimi që s’do të lejojmë Serbinë të sillet kështu ndaj nesh”, ka theksuar Veseli.
Ai ka komentuar edhe pengesën që mallrat e Kosovës dhe qytetarët kanë kur kalojnë nëpër kufirin me Serbinë, duke thënë se nuk duhet të ndodh një gjë e tillë.
I pari i Kuvendit tutje ka vlerësuar se institucionet e Kosovës deri më tani kanë ndërmarrë vendime të drejta dhe legjitime.
“Çdo herë kur kemi qenë në kulmin e ekzistencës sonë, SHBA-të kanë qenë me ne gjithmonë. Për hir të shtetit që na ka ndihmuar, ne duhet të jemi afër tij. SHBA-ja e Kosova duhet të jenë një. Mënyra e konfrontimit, e ballafaqimit me një partner që është garanc e sovranitetit dhe territorit tonë nuk i bën hajr vendit tonë”, ka potencuar Veseli.
Ai ka shtuar se punon çdo ditë që Kosova të jetë sa më afër Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Ne e kemi vënë taksën kundër një agresiviteti, prandaj nëse ka dy palë, për t’u marr vesh, duhet të pajtohen dy palët. Kjo çështja e taksës ka të bëj me qëllimin e dialogut, pasi taksa është në interes të Kosovës dhe nuk do të përdoret për largim nga SHBA-të asnjëherë. Unë punoj çdo ditë për këtë, sepse jam i bindur se ku është Amerika, është edhe Kosova njëjtë”, ka thënë Veseli.
Veseli tha se bë takim me kryeministrin dhe ambasadorin amerikan, u përmend pezullimi i taksës 100%.
“Kryeministri ka disa hezitime. Takimet e mia me SHBA-të janë shumë intenzive, për mua është e paimagjinueshme mos të ketë një raport edhe në baza ditore, sepse nuk ka përkrahës më të fuqishëm të Kosovës, sovranitetit tonë dhe integritetit se sa SHBA-të. Për aq sa ka kryeministri takime me ta, kam edhe unë”, ka potencuar Veseli.
Ai i është përgjigjur edhe kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili sot tha se kush kërkon heqjen taksës, nuk ia do të mirën Kosovës.
Me kryeministrin kemi një partneritet për disa marrëveshje që i kanë shërbyer integritetit të Kosovës, është një njeri që mundohet çdo ditë t’i shërbej vendit të vet, në mënyrën e vet. Deri këtu është shumë korrekt. Jemi në një formë apo tjetër, shumë të angazhuar, jo të shqetësuar, dhe të impenjuar në faktin e veprimeve që do të ndodhin në ditët, javët, muajt e ardhshëm e që kanë të bëjnë me dialogun me Serbinë. Ky shqetësim ka filluar të bëhet individual fatkeqësisht”, ka theksuar Veseli.
