Featured
Objekti mbi 100 vjet i vjetër në Kosovë që lë mbrapa ndërtesat moderne
I ndërtuar para më shumë se 100 vjetësh, me një arkitekturë që përfshinë mure prej guri e tulla të pjekura dhe ballkone të gjata prej druri, Hani i Haraqisë në Gjakovë mbetet një nga objektet emblematike të qytetit.
Kompleksi Hani i Haraqisë ,i cili përbëhet nga dy bujtina, gjendet në afërsi të Xhamisë së Hadumit. Objektet pjesën më të madhe të kohës kanë shërbyer si bujtinë (hotel), ku udhëtarët kanë ardhur në qytet për tregti, kanë fjetur, janë ushqyer dhe në oborrin e objektit (karvansarajet) i kanë lënë kafshët, që i kanë përdorur për transport.
Ami Bue përmend në vitin 1835 hanin e bukur të Haraqisë dhe të Islam Agës në Gjakovë. Mylleri më 1838 përmend hanin dhe karvansarajin e madh të Gjakovës, që strehonte deri në 100 mysafirë, tregtarë me kafshët e tyre. Sot hani shërben si objekt hotelier dhe për organizime të ndryshme. Kompleksi në fjalë përbëhet nga Hani i Vjetër në përëndim dhe Hani i Ri në lindje.
Hani i Vjetër supozohet të jetë ndërtuar pas ndërtimit të Xhamisë së Hadumit, ndërsa Hani i Ri është ndërtuar në vitin 1901.
Hani i Vjetër është objekt i ndërtuar në dy etazhe. Përdhesa është e ndërtuar me gurë, ndërsa kati me tulla të pjekura dhe hatulla. Objekti përbëhet nga hajati, që është i vendosur në tërë gjatësinë e hanit me një çardak në mes, me dimensione të mëdha.
Përdhesa është e përbërë nga një “triem” i hapur, në shtylla të drurit të bungut, të mbështetura në gurë të dekoruar. Të gjitha tavanet janë dekoruar nga druri i gdhendur, kurse hapësirat e brendshme të hanit janë të dekoruara me stil tradicional qytetar. Hani i Ri është i ndërtuar në dy etazhe: përdhesja nga guri, ndërsa kati nga tulla të pjekura me hatulla. Konstruksioni i meskatit është ndërtuar nga trarë të drurit. Po ashtu, edhe konstruksioni i kulmit është nga druri me strehë të gjatë, i mbuluar me tjegulla tradicionale.
Tek objekti i Hanit të Vjetër karakteristikë është fakti se si trarët e konstruksionit të ndërkatit, e po ashtu edhe shtyllat e çardakut, dallohen për dimensionet e mëdha që kanë. Hanit të Ri në hapësirat e brendshme i janë ruajtur dekoret me stil tradicional qytetar. I vendosur në kryqëzimin e rrugës kryesore me rrugën e “Kutixhinjve”, kompleksi i Hanit të Haraqisë merr një pamje impozante dhe dominuese. Gjatë vitit 2005 në Hanin e Ri janë kryer punime konservuese si në enterier ashtu edhe në eksterier./Ndërtimi.info/