Aktuale
Akuzohet Komuna se edhe pse ka nënshkruar tender për mirëmbajtje të rrugëve ato s’po pastrohen

Lëvizja Vetëvendosje, përmes një komunikate, thotë se Komuna e Prishtinë ka tender në janar për pastrimin e borës nga rrugët, por situata në fshatra është alarmante.
“Me datën 7 janar 2019 është bërë publik fituesi i tenderit për mirëmbajtje dimërore të rrugëve rurale në Prishtinë, pra në kulmin e kushteve të vështira atmosferike, kur bora kishte arritur edhe deri në gjysmë metri. Por megjithë shpalljen e fituesit, tash që po vjen vala e dytë e borës së madhe në Kosovë, rrugët dhe trotuaret e qytetit vazhdojnë të jenë të pa pastruara, dhe Komuna është praktikisht në bllokim total”, thuhet në komunikatë.
Lëvizja Vetëvendosje, qendra në Prishtinë, thotë se ka pranuar ankesa nga qytetarët e shumicës së lagjeve dhe fshatrave të Prishtinës për kushtet e vështira dhe kalueshmëri të limituar nëpër rrugë.
“Megjithëse, një borë e tillë është mëse normale për këtë periudhë të vitit, dhe tashmë janë edhe kompanitë e angazhuara për pastrim, ne nuk e kuptojmë ku qëndron problemi që rrugët nuk po pastrohen. Kërkojmë nga autoritetet komunale që të bëjnë publike planet për reagim në situata të tilla atmosferike, në mënyrë që edhe qytetarët të kenë mundësi të vlerësojnë dhe japin vërejtjet e tyre për këto plane. Është evidente që diçka s’po funksionon me komunën, madje as kur ka të angazhuar kompani që mirëmbajnë rrugët. Edhe nëse ky angazhim bëhet krejtësisht me vonesë, si rasti i tenderit për mirëmbajtje të rrugëve rurale që është përfunduar tash në kulmin e sezonës dimërore”, thuhet tutje.
“Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë vëren që Komuna e Prishtinës ka shpallur dy tenderë të ndryshëm për mirëmbajtje dimërore të rrugëve, njërin për rrugët e qytetit dhe tjetrin për rrugët e fshatrave. Përderisa kontrata për rrugët e qytetit është nënshkruar në fund të nëntorit e që poashtu është vonë, duke konsideruar klimën në Kosovë, kontrata për rrugët rurale është nënshkruar vetëm para dy javësh, duke pamundësuar pregaditjet e duhura për mirëmbajtje. Për më shumë nga të dhënat nga pikat tona nga fshatra kemi kuptuar që ka fshatra që asnjëherë nuk është pastruar bora siç është rasti i Barilevës. Ne ngremë dyshime që autoritetet komunale nuk kanë plan për mirëmbajtje dimërore të rrugëve. Dhe se kontratat e nënshkruara janë vetëm vazhdimësi e proceve ad-hoc sa për sy e faqe të komunës për të sanuar në momente të fundit problemet në rritje që po shkaktohen në kryeqytet, në vend se të bëhen pjesë e planeve të mirëmenduara për lëvizje të lehtësuar të qytetarëve dhe për shfrytëzim të hapësirave publike pa marrë parasysh periudhës klimatike”, përfundon reagimi i VV-së.
