Aktuale
Rio de Janeiro emërohet i pari “Kryeqytet Botëror i Arkitekturës”

Organizata ndërkombëtare UNESCO ka emëruar Rio de Janeiron si “Kryeqytetin Botëror të Arkitekturës”, për vitin 2020.
Partneriteti i fundit i UNESCO-s me Unionin Ndërkombëtar të Arkitektëve [UIA] ka përcaktuar Rio de Janeiron si Kryeqytet të Arkitekturës, ku edhe do të zhvillohen kongreset botërore të UIA-s. Ky qytet do të jetë qendra e një sërë forumesh ndërkombëtare, ku do të zhvillohen debate të shumta rreth sfidave të mëdha globale, si në fushën e kulturës ashtu edhe në atë të trashëgimisë, të planifikimit urban e arkitekturës, shkruan “Arch Daily”, transmeton Ndërtimi.info.
Ndihmësdrejtori i Përgjithshëm i UNESKO-s për Kulturë, Ernesto Ottone R, Presidenti i Bashkimit Ndërkombëtar të Arkitektëve (UIA) Thomas Vonier dhe Sekretarja e Përgjithshme e Urbanizmit, në Rio de Janeiro, Verena Vicentini Andreatta bënë të ditur vendimin e tyre përmes një prononcimi për medie.
“Kryeqyteti i ri i Arkitekturës” nënvizon angazhimin e përbashkët të UNESCO-s dhe UIA-s për ruajtjen e trashëgimisë arkitektonike në kontekstin urban. Nëpërmjet gamës dhe cilësisë së aktiviteteve të saj, ‘Kryeqyteti Botëror i Arkitekturës’ në Rio de Janeiro do të demonstrojë rolin vendimtar të arkitekturës dhe kulturës në zhvillimin e qëndrueshëm urban” kështu u shpreh ndihmësdrejtori i përgjithshëm i UNESKO-s për Kulturë, Ernesto Ottone R.
Si “Kryeqyteti Botëror i Arkitekturës”, në Rio de Janeiro do të mbahen një seri ngjarjesh nën temën “Të gjitha botët. Vetëm një botë “, si dhe të promovohet agjenda e përbashkët për zhvillim dhe qëndrueshmëri, e vitit 2030 nën moton: “Bëni qytetet dhe vendbanimet gjithëpërfshirëse, të sigurta, elastike dhe të qëndrueshme “.
UNESCO, UIA dhe institucionet lokale do të organizojnë aktivitete për të promovuar projekte që përfshijnë arkitektët, planifikuesit urban, krijuesit e politikave, institucionet sociale dhe profesionistët nga sektorë të ndryshëm duke përfshirë artistë dhe shkrimtarë në një hapësirë të hapur dhe kreative të dialogut dhe inovacionit./Ndërtimi.info/
