Aktuale
Afaristët kërkojnë nga BQK-ja përkrahje më të madhe për bizneset

Oda e Afaristëve të Kosovës në një takim me Guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, ka kërkuar nga BQK-ja përkrahje më të madhe për bizneset.
Në këtë takim, sipas OAK-së, është shprehur shqetësimi për kamatat prej 5 për qind për dorëzimin e parave metalike nga bizneset, rritjen e çmimeve për shpenzimet e bankës, e zvogëlimi i numrit të bankomatëve.
Në një njoftim për media, OAK ka treguar se ka kërkuar nga BQK-ja që bizneset të ndihmohen me këto masa:
• Të hiqet kamata prej 5% në kthimin e parave të imëta të vendosur nga Banka Qendrore dhe e cila nga bankat komerciale shkon deri në 8%, që po prek posaçërisht furrtarët dhe marketet;
•Të merren masa ndaj bankave për rritjen e çmimeve dhe të ulen ato për shërbimet bankare që në vitin e kaluar është rritur nga disa banka më shumë se 100% (deri në 20 euro në muaj për mirëmbajtje të një konto) dhe çmime të larta për transfere;
•Të kërkojë nga bankat që të rritet numri i bankomatëve që kohëve të fundit është zvogëluar dukshëm;
•Të ndikojë në zvogëlimin e kredive dhe overdraftat e mëdha dhe shpesh me kushtëzime të pamundura;
•Pa mundësia e deponimit direkt tek arka, por vetëm në bankomat.
Në anën tjetër, sipas njoftimit, Mehmeti ka thënë se BQK-ja është e gatshme të përkrahë bizneset aty ku ka nevojë “duke premtuar se çështjen e parave të imëta do ta adresojë si problem edhe në nivel rajonal, ndërsa sa i përket çmimoreve të bankave për mirëmbajtje të kontove, Mehmeti theksoi se BQK është duke ekzaminuar se a kanë bazë bankat për aplikimin e një ngritje të tillë”.
