Aktuale
Si po e ridefinon “Arkitektura Kërkimore” artin

Në vitin 1990, kolegji “Goldsmiths”, në Londër krijoi “Young British Artist” (Artistët e rinj britanik). Tani, ky kolegj ka bashkuar një grup shumë më ndryshe të “arkitektëve”, puna e të cilëve ka gjasa të paraqitet në gjykata e nëpër galeri të artit.
Përmes shkallëve të ngushta në kolegjin “Goldsmiths” në Londër, të cilat të çojnë në katin e sipërm, mund të gjesh një dhomë të ajrosur, në cilën krijuesit e filmave, ekspertë të ndryshëm, gazetarë hulumtues e arkeologë punojnë para ekraneve të tyre kompjuterike. Ky objekt njihet si qendra e “Arkitekturës Mjeko-Ligjore”, një agjenci kërkimore që merret me hetime të detajuara në lidhje me abuzimet e të drejtave të njerëzve si dhe me shkeljet mjeko-ligjore, shkruan“The Guardian”, transmeton Ndërtimi.info.
Dëshmitë e përpiluara nga Arkitektura Mjeko-Ligjore i janë dorëzuar Gjykatës Penale Ndërkombëtare për sulmin e Izraelit në Gaza në vitin 2014. Dëshmi tjera janë dërguar në Gjykatën Inter-Amerikane për gjenocidin në Guatemala. Një tjetër rast është dorëzuar në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut për rolin e Italisë në vdekjen e emigrantëve.
“Ne jemi konfrontues, ndërhyrës”, është shprehur aktivisti dhe themeluesi i Arkitekturës Mjeko- Ligjore, Eyal Weizman. Sipas tij, Arkitektura Ligjore ka evoluar si disiplinë hulumtuese, duke drejtuar një sërë rastesh kërkimore.
Në këtë “epokë të së vërtetës”, verifikimi është i thelbësor, kështu që burimet e dokumentacionet e panumërta analizohen deri në detajet më të vogla. Në vizitën e fundit të bërë nga gazetarët, hulumtuesit po sinkronizonin filmimin e kamerave të sigurisë, kur ishte qëlluar një aktivist. Disa të tjerë po merreshin me pamjet e kamerave në lidhje me vrasjen e fundit të një aktivisti që i përkiste komunitetit LGBT, i cili vdiq në Greqi. Hulumtuesi e njëherish krijuesi i këtyre filmave, Laura Poitras po vizitonte gazetarët nga “New York Times”, të cilët kishin shkuar për të mësuar më shumë për hetimet vizuale. Një ekip tjetër aktualisht është duke u trajnuar në Chigago, për t’iu përgjigjur dhunës së policëve.
“Goldsmiths” dëshmoi edhe një herë se është inkubator i një lëvizjeje të re, madje edhe pas 30 vitesh që kur Damien Hirst dhe shokët e tij paraqitën para publikut ekspozitën e tyre historike të artit, që njihej si “Freeze”. Kjo lëvizje e shfaqur ka marrë emrin nga Qendra për ArkitekturëKërkimore (CRA) në “Goldsmiths”.
“Arkitektura Kërkimore” nuk ka të bëjë aspak me dizajnimin e ndërtesave, por ka të bëjë gjithçka rreth politikës së hapësirës, veçanërisht se si manipulohet nga shtetet dhe korporatat kundër civilëve dhe mjedisit, që nga goditjet e avionëve në Pakistan e deri tek minierat në Amazonë. Me përdorimin e teknologjisë së sofistikuar, si modelimi 3D e shumë metoda tjera, mund të sigurohen dëshmi të forta të keqbërjes. Puna përfundimtare e këtij grupi, ka gjasë të paraqitet në një gjykatë ndërkombëtare po ashtu edhe në një galeri të artit.
Ky nuk është një art i destinuar për shtëpitë e koleksionistëve. Nuk ka të bëjë me piktura të bukura apo edhe me shprehje të bukura. Studentët dhe stafi i “Qendrës Kërkimore të Arkitekturës” janë duke u përballur me pasion me strukturat e pushtetit përgjegjës për dhunë dhe shkatërrim, duke përdorur mjete të shumta gazetareske dhe teknologjike për të zbuluar tregime të fshehura. Ata e quajnë veten më shumë “praktikues hapësinorë” sesa arkitektë ose artistë, pasi ekspozimi i filmave, imazheve, instalimeve dhe librave të tyre në galeri është vetëm një aspekt i punës së tyre, që përfshin gjithashtu mësimdhënie, bashkëpunim me ekspertë dhe kërkime të vazhdueshme..
“Qendra e Arkitekturës Kërkimore” (CRA) u krijua si një fakultet pasuniversitar në Universitetin “Goldsmiths” nga viti 2005./Ndërtimi.info/
