Aktuale
Punë shtesë të dheut dhe zhavorit për Spitalin e Ferizajt, MSH jep tender

Në qershorin e vitit që lamë pas (2018) u vu gurthemeli për ndërtimin e Spitalit Rajonal të Ferizajt. Për këtë spital, Ministria e Shëndetësisë ka dhënë tender për punime shtesë të dheut dhe zhavorrit.
Tenderi është nënshkruar mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe kompanisë fituese N.N.P “Arbëria Com”, e që çmimi i tenderit kap shumën e 199 mijë e 999 euro e 22 cent, shkruan Ndërtimi.info
Sipas dosjes së tenderit, punët që janë paraparë me këtë tender janë punët e dheut, punët e zhavorrit dhe drenazhimit. Në këtë të fundit parashihet furnizimi, transporti dhe shtrirja e zhavorrit kokërrmadh 0-60 milimetër nën themelit pllakë të bodrumit në trashësi 50 centimetër si dhe ngjeshja e tij me makineri të rëndë Rullër 8T me vibrim të kompaktësuar dhe konsoliduar zhavorrin dhe tokën nën themel. Pastaj ngjeshja duhet të bëhet deri sa të arrihet moduli i ngjeshjes 9000 KN/M2n.
Po ashtu do të bëhen punët e betonit në katin e garazheve në bodrum, kushtet e përgjithshme për punët e betonit, të cilat duhet të kryhen sipas projektit dhe llogarisë statike, normave dhe standardeve që janë në fuqi.
Pas përfundimit të punëve me beton, do bëhen punët e armaturës.
Ndërsa, i gjithë projekti për ndërtimin e Spitalit të Përgjithshëm në Ferizaj do të kushtojë 10.2 milionë euro. Ndërkaq faza e ndërtimit është paraparë të zgjatë 3 vjet.
Spitali në Ferizaj do të ndërtohet nga po e njëjta kompania që i është dhënë tenderi “Punime shtesë të dheut dhe zhavorrit në projektin ‘Ndërtimi i Spitalit Regjional në Ferizaj’”, pra kompania “Arbëria Com” për një shumë prej 10 milionë e 235 mijë euro. Ku faza e ndërtimit është paraparë të zgjatë 3 vjet, shkruan Ndërtimi.info
Ndërtimi i kësaj godine shëndetësore është menduar të jetë i përbërë nga Bodrumi+Suteren+Përdhesë+4 kate. Në tërësi është menduar të ketë kapacitet 250 shtretër.
