Aktuale
Dogana dhe ATK rrisin buxhetin e Kosovës
Dy institucionet kryesore për mbledhjen e të hyrave buxhetore, Dogana dhe Administrata Tatimore e Kosovës, në periudhën janar-korrik të këtij vitit, kanë shënuar rritje të ndjeshme në buxhetin e Kosovës.
Vetëm Dogana e Kosovës gjatë kësaj periudhe ka arritur të shënojë 700 milionë të hyra buxhetore, që në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar ka shënuar rritje për 10 për qind. Këtë e konfirmon për Radio Kosovën zëdhënësi i Doganës, Adriatik Stavileci.
“Arsyet janë se Dogana çdo ditë e më shumë po stërvitet, po profesionalizohet më shumë, përmirëson sistemet dhe procedurat e brendshme të funksionimit, normalisht edhe politikat fiskale ndikojnë më shumë. Kemi rritje të hyrave, që nënkupton kemi luftim dhe zvogëlim të kontrabandës. Në bazë të projeksioneve që i kemi të paracaktuara nga MF për vitin 2017, ne duhet të mbledhim mbi 1 miliard dhe kësaj shifre do t’i ofrohemi me, besoj, rreth 100 për qind të realizimit të të hyrave”, tha Stavileci.
Edhe Administrata Tatimore e Kosovës këtë periudhë e konsideron si një trend pozitiv për mbledhjen e të hyrave. Vetëm gjatë kësaj kohe, sipas zëdhënëses, Valentina Bytyqi- Sefa, ATK ka inkasuar 238.6 milionë euro, apo 8.3 për qind më shumë, se e njëjta periudhë e vitit paraprak.
“Të hyrat kanë shënuar rritje, përkundër trendit jo të mirë të ekonomisë në Kosovë. Ajo çka shënohet si një shenjë dalluese për ATK është se ka arritur të ruajë dhe të ngritë imazhin e një administrate dinamike në shërbim të të gjitha palëve të interesit, gjithashtu edhe në modernizim të sistemit tatimor. ATK ka zgjeruar edhe gamën e shërbimeve elektronike. Në periudhën janar-korrik deri më tani ATK ka inkasuar 238.6 milionë euro, apo 8.3 për qind më shumë se e njëjta periudhë e vitit paraprak, apo 18.1 milionë euro më shumë”, pohoi Bytyqi – Sefa.
Sipas zyrtarëve, aksionet e shpeshta në luftimin e ekonomisë jo-formale, bashkëpunimi me qytetarë, lehtësimi i procedurave të importit-eksportit, përdorimi i sistemeve të avancuara, eliminimi i procedurat burokratike dhe diskrecionit kanë ndikuar pozitivisht në rritjen e të hyrave në arkën e shtetit.