Arkitekturë
Bora Kelmendi i bashkohet garës arkitekturore me “Arkitektura midis jetës dhe vdekjes”

Gara arkitekturore nga Future Architecture po mbledhë shumë studentë e arkitektë nga e gjithë bota për të prezantuar projektet e tyre në një platformë feston inovacionin, eksperimentimin dhe idetë e një brezi që do të dizajnojë arkitekturën dhe do të ndërtojë qytetet e Europës në vitet në vijim, shkruan Ndërtimi.info.
Bora Kelmendi, arkitektja e cila ishte edhe pjesë e ekipit të Paviljonit të Kosovës në Bienalen e Arkitekturës, po garon me projektin e saj “Architecture between Life and Death” (Arkitektura midis jetës dhe vdekjes).
Për Ndërtimi.info, Kelmendi ka treguar rreth projektit për të cilin thotë se “Arkitektura midis Jetës dhe Vdekjes është paraqitja figurative për atë çfarë po ndodh me raportet njerëzore nëpërmjet arkitekturës dhe asaj se çfarë po ndodh me arkitekturën duke u ndikuar nga njerëzit”.
“Raporti midis njerëzve për një kohë të gjatë është ndikuar nga arkitektura pa u vënë re. Krijimi i strukturave arkitektonike apo planifikimi i hapësirave qoftë publike apo private duhet të kenë qëllime të qarta dhe të cilësojnë atributet kryesore në të cilat do të ndikojnë, duke mos shkuar drejt një qëllimi vijmë deri tek rezultati i ndikimeve permanente të pa vëna re.
Arkitekti duhet ta ketë të qartë se deri ku është pjesë “solide” e pa ndërrueshme dhe cilat pjesë duhet të ndikohen nga faktori njeri, faktori me i rëndësishëm për arkitekturën për të gjeneruar jetën në arkitekturë. Krijimi i një “guideline” të atributeve kryesore jo materiale të cilat duhet të ndikojnë në arkitekturë dhe ato të cilat janë fondamentalë shfaqet e nevojshme”, shpjegon Kelmendi.
Ky studim synon të analizojë marrëdhëniet njerëzore të ndikuara nga arkitektura dhe arkitektura e ndikuar nga njerëzit që theksojnë Prishtinën, Kosovën.
“Kompleksiteti njeri i zbërthyer në struktura arkitektonike të imponuara nga vetë ai është boshti i shqyrtimit. Zbërthimi i çështjeve të kritikës në sociologji, sociologjinë urbane dhe modulet e banimit mbi atributet jomateriale dhe materiale, e që definohen si përbërësit kryesore të këtij studimi. Gjetjet e hulumtimit lidhur me jetën dhe vdekjen e raporteve njerëzore sjellen nëpërmjet një modeli arkitektonik që mund të vendoset në indet urbane sipas parimeve të grupimit të njerëzve, në favor të jetës në raportet njerëzore”, tregon ajo.
Autori i idesë më të votuar do të marrë pjesë në konferencën e Lubjanës dhe do të shpalosë idenë e vet për arkitekturën e së ardhmes, si dhe do të bëhen pjesë e programit të ekspozitave, konferencave, ligjëratave dhe punëtorive të Future Achitecture.
Ju mund të votoni për projektin e Bora Kelmendit duke klikuar në opsionin “I like this”, që gjendet në këtë link:
http://futurearchitectureplatform.org/projects/db73259e-367a-42cf-9796-06dd0fbf71d9/?fbclid=IwAR1osQbteVs3TQGgIkWSIhH5ruJd2U41giXrCw3D6yur66rRvplgzEhrndw
