Aktuale
Erdhi në Kosovë për futboll, përfundoi në ndërtimtari

Theo Fodjo Lali erdhi në klubin e Trepçës në maj të vitit 2017 si përforcim nga Kameruni. Futbollin kosovar e shihte si urë lidhëse për të dalë në futbollin evropian.
Portieri nga kontinenti i Afrikës vitin e kaluar u shndërrua edhe në hero të Trepçës, pasi duart e tij ia siguruan mbetjen në Ligën e Parë “xehetarëve”, të cilët falë tri penalltive të pritura nga ai mposhtën Dardanën në barazh.
Por, Theo Fodjo Lali, nuk e kishte menduar kurrë se krahas futbollit në Kosovë për të siguruar “kafshatën e gojës” do t’i duhej të gjente edhe një punë tjetër, e aq më pak se do të përfundonte në ndërtimtari!
26-vjeçari prej muajsh punon në Kompaninë e Ndërtimit “Medi Construction” nga Mitrovica, tek e cila ka gjetur mbështetjen.
Gazeta Olle ka siguruar foto dhe video të punës së tij në këtë kompani. Pronari i Kompanisë, Fadil Halilaj, tregon se si e punësuan portierin e Trepçës.
“Ai ka ardhur me vetëiniciativë për të kërkuar punë tek kompania jonë dhe ne i kemi gjetur ndihmë”, tregon Halilaj për Gazetë Olle, duke e vlerësuar “gardianin” e “xehetarëve” edhe punëtor të vyeshëm. “E dimë se është sportist i mirë, e njeh gjuhën angleze, por gjithashtu edhe punëtor i mirë. Tek ne nuk punon rregullisht, por kohë pas kohe e angazhojmë kur kemi nevojë”, shtoi ai.
Vitin e kaluar, 26 vjeçari është kthyer në një “hero” për skuadrën e tij, pasi ka pritur 3 penallti me Dardanën dhe e ka mbajtur skuadran për të mos rënë një kategori më poshtë.
Vetë lojtari është edhe më i mbyllur në raport me mediat. “Mund të flasë vetëm për karrierën në futboll, sepse nuk më lejohet të flasë diçka tjetër për menaxhmentin e Trepçës” , ka thënë ai për Olle
Kamerunasi nuk ka kontratë të vërtetuar në Federatën e Futbollit të Kosovës. Ai vazhdon të shpresojë se do t’ia shoh hairin futbollit të Kosovës.
Shoqata për Mbrojtjen e të Drejtave të futbollistëve në Kosovë është formuar vitin e kaluar dhe qëllimi i saj është mbrojtja e të drejtave të lojtarëve.
Për rastin e portierit të Trepçës, kryetari i kësaj shoqate, Visar Zogiani, thotë se nuk është në dijeni, e as nuk kanë pasur ndonjë kërkesë nga lojtari.
“Nuk kemi qenë në dijeni dhe nuk kemi pasur asnjë kërkesë nga ana e futbollistit (portierit), por duhet të shikohet se a ka kontratë me klubin, a ka pranuar me dëshirë të punoj edhe një punë tjetër apo është obliguar, pasi që në Ligën e Parë nuk është futbollisti i vetëm që punon një punë dytësore për të fituar mjaftueshëm, kur dihet se vetëm dy-tri ekipe që kanë pretendime të inkuadrohen në Superligë paguajnë më mirë”, thekson Zogiani.
Vitin që e lam pas, sipas raportit të Inspektoratit të Punës, të siguruar nga Ndërtimi.info, nga pasiguria në punë, humbën jetë 23 punëtorë. Nga ky numër, sipas Inspektoratit të Punës, 12 ishin punëtorë të ndërtimtarisë.
