Connect with us

Aktuale

Si do të sigurojë Kosova investime strategjike deri në dy miliardë euro?

Published

on

Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar se përmes Ligjit për investime strategjike kanë aplikuar 11 kompani të cilat do të investojnë deri në 2 miliardë në sektorë të ndryshëm.

Sipas një komunikate të Qeverisë, së shpejti pritet shpallja e investitorëve strategjik të cilët në fokus do të kenë investime në sektorin e energjisë, në transport dhe turizëm.

Dy nga projektet e mundshme të cilat mund të kalojnë përmes Ligjit për investime strategjike janë potencuar se mund të jenë kompleksi turistik Brezovica dhe Hoteli Grand në Prishtinë.

Radio Evropa e Lirë ka tentuar që të marë informacione më shumë rreth këtyre investimeve, por nuk është arritur kontakti me ministrin e Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala.

Shala përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se në këto investime strategjike nuk janë të gjitha investime të huaja, por ka edhe investime strategjike vendore.

Ndërkohë, për të njëjtën çështje, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka theksuar se në Kosovë po fillohet të zbatohen këto investime.

“Pra veçse kemi hyrë në një fazë intensive të zhvillimit të vendit”, ka thënë kryeministri Haradinaj.

Ligji për investime strategjike e parë si mundësi e mirë për tërheqjen e investitorëve të huaj në Kosovë, nga ekspertë të çështjeve ekonomike konsiderohet i mangët nëse nuk arrihet të ketë stabilitet politik dhe sundim të rendit dhe ligjit.

Eksperti i çështjeve ekonomike, Safet Gërxhaliu në një bisedë për Radion Evropa e Lirë thotë se nëse mendohet që Ligji për investime strategjike të jetë në funksion të së ardhmes së Kosovës, atëherë duhet të ketë fillimisht, sundim të rendit dhe ligjit dhe stabilitet politik.

“Është e vërtetë që proceset ekonomike të Kosovës kanë mbetur nën hijen e agjendës politike dhe në një vend ku agjenda politike dominon është shumë e vështirë të flitet për investime e në veçanti për investime strategjike. E them këtë bazuar në faktin se në Kosovë më shumë bëhet garë për të shpikur probleme, për të mbuluar problemet e pazgjidhura nga e kaluara dhe në këtë drejtim është duke u dëmtuar imazhi i Kosovës. Nuk vlen vetëm të kemi vetëm ligje nëse ato nuk kanë zbatim”, thotë Gërxhaliu.

Ndryshe, vlera e investimeve të huaja në Kosovë nga viti në vit ka shënuar rënie.

Sipas të dhënave zyrtare të Bankës Qendrore të Republikës se Kosovës, për nëntë muajt e vitit 2018, vlera e investimeve të huaja ka arritur në shifrën prej 164.4 milionë euro. Në vitin 2017, investimet kanë qenë 287 milionë euro, kurse në vitin 2016 rreth 220 milionë euro.

Para shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në vitin 2008, vlera e investimeve nga jashtë ishte më e lartë.

Në vitin 2007, shuma e investimeve të huaja kishte arritur në 440 milionë euro, vlerë kjo që asnjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës nuk ka arritur në Republikën e Kosovës.

Safet Gërxhaliu shton se çdokush do të dëshironte që të ketë investime strategjike, por që sipas tij, realiteti e dëshmon të kundërtën. Investitorët e huaj kërkojnë siguri, stabilitet, sundim të rendit dhe ligjit, kushte këto që Kosova, sipas Gërxhaliut, nuk i ofron për momentin.

“Më gëzon fakti që ka të dhëna që do të ketë kompani dhe brende të huaja që do të investojnë miliarda euro në Kosovë, por duhet të kuptohet që për të qenë atraktiv për këta investitorë, Kosova në rend të parë duhet të dëshmojë stabilitet politik, duhet të ketë sundim të rendit dhe ligjit dhe mbi të gjitha të ofrojë një parashikueshmëri të bizneseve që pretendojnë të investojnë në Kosovë ku janë sot dhe ku do të jenë pas pesë vite”.

“Në këtë drejtim Kosova është shumë larg realitetit. Kam drojën që këto investime strategjike më shumë duken si një spektakël politik ose një parapërgatitje për ndonjë kampanjë zgjedhore sesa që mund të jetë realitet”, thotë Gërxhaliu.

Ndryshe, Ligji për investime strategjike në kohën kur ishte miratuar në Kuvendin e Kosovës ishte kundërshtuar nga përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës.

Kryetarët e katër komunave veriore të Kosovës patën kundërshtuar miratimin e këtij ligji dhe ishin zotuar se ai nuk do mund të zbatohet në këto komuna, ngase sipas tyre, nuk është harmonizuar me autoritetet lokale.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës, pati hedh poshtë ankesën e një grupi të deputetëve serbë të Kuvendit të Kosovës, të cilët e kundërshtuan Ligjin për investime strategjike.

Ligji për investime strategjike pati hyrë në fuqi në shkurt të vitit 2017.

Shuma minimale që një projekt të konsiderohet si investim strategjik, sipas Ligjit është nga 10 milionë deri në 30 milionë euro.

Ligji për Investime Strategjike nga autoritetet e vendit ishte konsideruar një ligj i cili krijon kushte shumë më të mira për investitorë vendorë dhe ndërkombëtarë. Me këtë ligj ishte theksuar si i jepet fund procedurave burokratike.

Aktuale

Deodorantë, shishe uji plastike…: Çfarë nuk duhet të lini në vetura në ditët e nxehta?

Published

on

Dielli dhe nxehtësia kanë një efekt shkatërrues në disa gjëra që përdorim dhe nuk është e mençur t’i lëmë në vetura.

Duket e arsyeshme të mbani një shishe me ujë në veturën tuaj gjatë një vale të nxehtë. Megjithatë, bisfenoli A dhe ftalat në plastikë, kimikate që veprojnë si lidhës dhe e bëjnë plastikën fleksibël, po shkaktojnë shqetësim tek ekspertët që studiojnë efektet e tyre në shëndetin e njeriut. Lënia e ujit në shishe plastike në një makinë të nxehtë mund të bëjë që këto substanca të lëshohen në ujë, shkruan The Sunday Times.

Nxehtësia e madhe në vetura mund të dëmtojë bateritë e të gjitha pajisjeve që i përdorin, që nga kompjuteri, celularët… Ka edhe shishe me krem kundër diellit, të cilat nuk duhet t’i lini në diell (një paradoks interesant, apo jo?) sepse në disa raste mund të shpërthejnë. Më pas janë të gjitha spërkatjet, nga deodoranti tek llaku i flokëve. Kur temperatura arrin rreth 48 gradë Celsius, presioni në rezervuar rritet mjaftueshëm për të shkaktuar një shpërthim, thonë ekspertët. Kornizat plastike të syzeve të diellit mund të shtrembërohen dhe zbardhen, dhe lentet mund të shtrembërohen.

Disa ilaçe, si antibiotikët, duhen mbajtur në frigorifer. Ilaçet në përgjithësi nuk e tolerojnë nxehtësinë dhe disa prej tyre do të bëhen të papërdorshme pas ekspozimit ndaj temperaturave jashtëzakonisht të larta. Nëse përdorni injeksione adrenaline, dobia e tyre zhduket në automjetet e nxehta. E cila, natyrisht, është çështje jete ose vdekjeje.

Buzëkuqi do të shkrihet në temperatura të larta.

Është dokumentuar se kanaçet e gazrave mund të shpërthejnë kur ekspozohen ndaj nxehtësisë ekstreme. Edhe lëngu i portokallit mund të shpërthejë nëse lihet në makinë për një kohë të gjatë, dhe kjo do të thotë një brendshme ngjitëse…

Lënia e çakmakut të disponueshëm në makina në ditët e nxehta nuk është një ide e zgjuar. Shpërthimi i tyre mund të shkaktojë dëme të mëdha dhe madje të thyejë xhamin e përparmë./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Themelohet Oda e Minierave të Kosovës

Published

on

Me ceremoni të mërkurën është bërë hapja e Odës së Minierave të Kosovës që u konsiderua një hap tejet i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, raporton Ekonomia Online.

Themeluesi, Mentor Demi, ka thënë se kjo ceremoni është një hap shumë i rëndësishëm në drejtim të zhvillimit të industrisë së minierave në Kosovë.

Alaudin Kodra, anëtar i Bordit në Odën e Minierave të Kosovës, ka thënë se gjeologjia e Kosovës, është e pasur dhe pikërisht kjo ka qenë një nga arsyet e fillimit të tij për punuar në Kosovë.

“Ligji minerar është ligj i mrekullueshëm i cilësisë së lartë për dallim nga. Pjesa perëndimore e Kosovës është një vazhdimësi e gjeologjisë së Shqipërisë. Kosovës i duhen kompani serioze, dua të iu urojë gjithë të mirat të keni suksese”, ka thënë nder tjera Kodra.

Zëvendësministri i Industrisë, Sipërmarrjes dhe Tregtisë, Mentor Arifaj, ka thënë se kontributi i madh për të ardhur deri te hapja e Odës është për tu vlerësuar.

“Do ta luajë një rol ndërmjet një katalizatori i akterëve të shumtë dhe investitorëve potencial qoftë vendor apo ndërkombëtarë. Oda do ta luajë një rol të rëndësishëm në kuptimin e avancimit duke përfshirë njësi të ndryshme në arenën ndërkombëtare në sektorin e minierave”, ka thënë ai.

Nurten Deva, Rektor i Universitetit Isa Boletini, ka thënë se zhvillimi i industrisë minerare ka një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik.

“E përgëzojë zotëri Demin për guximin që ka ndërmarrë një hap të tillë për themelimin e një odë nga privatët. Nuk e kanë pas mbështetjen e duhur për të arritur vizionin në planet e tyre strategjike”, ka thënë Deva. Andor Lips, Drejtori jo-ekzekutiv në Western Tethyan Resources, ka thënë se Osat kanë shumë të rëndësishme si një lloj urë lidhëse në mes të investitorëve të huaj dhe institucioneve shtetërore./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Gjykata e Apelit anulon vendimin për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit në Vjosë

Published

on

Pas 10 vitesh nëpër procese gjyqsore, banorët e Mallakastrës fituan të parën betejë ligjore për çështjet mjedisore në vendin tonë. Gjykata Administrative e Apelit në Tiranë anuloi të mërkurën vendimin për ndërtimin e hidrocentralit Poçem në lumin Vjosa. Gjykata i dha të drejtë banorëve dhe organizatave mjedisore, duke konfirmuar aktvendimin e plotë të shkallës së parë dhe argumentet e tij në mbështetje të pretendimeve të paditësve.

Vendimi shënon fitoren përfundimtare të çështjes së parë mjedisore të trajtuar nga Gjykata në Shqipëri.

Beteja ligjore ka nisur në dhjetor të vitit 2016 nga EcoAlbania, EuroNatur dhe Riverwatch, së bashku me 38 banorë të fshatit Kutë në Mallakastër. Ata kundërshtuan ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit, duke pretenduar se “procedurat e ndjekura për dhënien e kontratës koncensionare si dhe procesi i konsultimeve me publikun, ishin zhvilluar në shkelje të legjislacionit shqiptar dhe të konventave ndërkombëtare”.

Banorët dhe organizatat fituan betejën e parë në maj të 2017, kur Gjykata Administrative e Shkallës së Parë vendosi në favor të tyre.

Palët e paditura janë Ministria e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Avokati i Shtetit (në emër të Ministrisë së Energjisë) dhe shoqëria koncesionare (Kovlu Energy), të cilat apeluan vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Pas 8 vitesh Gjykata e Apelit ka vendosur të rrëzojë padinë e tyre dhe të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Ndërkohë që vijonte kjo betje ligjore, banorë dhe organizata mjedisore si EcoAlbania nisën fushatën në mbrojtje të lumit Vjosa “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”.

Pas një beteje të gjatë, në Mars 2023, lumi Vjosa dhe degët e tij Drino, Bënça, Shushica dhe Kardhiqi, u shpallën Park Kombëtar duke ofruar mbrojtje ligjore edhe nga 45 hidrocentralet e planifikura për t’u ndërtuar në gjithë basenin e Vjosës.

Drejtues i Eco Albania Olsi Nika në një reagim për mediat tha se “edhe pse ky vendim vjen në një tjetër realitet, pas shpalljes së Parkut Kombëtar të Vjosës, ne e konsiderojmë si një arritje për komunitetin, aktivistët dhe avokatët e angazhuar në mbrojtjen e lumit Vjosa, të cilët e kanë ndjekur këtë çështje me rigorozitet dhe vendosmëri”.

Hidrocentrali i Poçemit, ishte aktpadia e parë e një çështjeje mjedisore në Gjykatën Administrative në Shqipëri. Ajo i hapi rrugën shumë çështjeve të tjera mjedisore të ngritura nga organizatat dhe banorët për të kërkuar të drejtën për ruajtjen e pasurive natyrore të vendit.

Avokati i çështjes Vladimir Meçi tha se vendimi përfundimtar përbën një arritje në ndërtimin e praktikës gjyqësore administrative që lidhet me te drejtën mjedisore në Shqipëri.

“E gjithë ecuria e çështjes së kundërshtimit të ndërtimit të HEC-it të Poçemit në rrugë gjyqësore, është një model pioner për të gjithë ata që kanë qenë pjesë e tij, përfshirë Organizatat, komunitetin, ne avokatët por edhe vetë gjykatën”, tha Meçi./Mediqa Ndërtimi

Continue Reading

Trending