Aktuale
Heshtet çështja e ndërtimit të sallës koncertale në Prishtinë

Ndërtimi i sallës koncertale në kryeqytet ishte ndër temat më të diskutueshme kulturore gjatë muajve shtator dhe tetor të vitit të kaluar. Por debati ka “vdekur” sidomos në dhjetor. Ata që kanë qenë të inkuadruar në këtë proces nuk e kanë të qartë se deri ku kanë ecur punët sa i përket kësaj çështjeje. Problem vazhdon të jetë lokacioni.
Komuna kishte marrë vendim që objekti i ish-“Gërmisë” në qendër të Prishtinës të shërbente si hapësirë për ndërtimin e sallës koncertale. Por më vonë edhe hapësira përballë katedrales “Nëna Tereza”, aty ku është Radio- Kosova, ishte përmendur si mundësi. Pavarësisht se Komuna e Prishtinës ka heshtur vazhdimisht, gazeta ka marrë vesh se ky institucion vazhdon të qëndrojë pas propozimit që ish-Shtëpia e Mallrave të shndërrohet në sallë koncertale. Por zyrtarisht nuk ka ndërmarrë ndonjë hap. Në këtë pikë ishte përkrahur edhe nga Qeveria e Kosovës.
Besa Luzha ka qenë pjesë e grupit punues që kishte dalë me propozimin që salla të ndërtohet përballë Teatrit Kombëtar të Kosovës. Për këtë projekt-ide Bashkimi Evropian ishte zotuar që do të ndajë 15.4 milionë euro nga Komisioni Evropian përmes fondeve IPA. Sipas Luzhës, në bazë të informacioneve që ajo ka, BE-ja është duke e bërë dosjen për konkurs ndërkombëtar.
“Tash ka mbetur që të jepet mendimi përfundimtar. Me sa di, është dhënë edhe propozimi tek Radio-Kosova dhe ai te ish-‘Gërmia’. Me sa kam marrë vesh unë, ata nuk po duan të kenë probleme në raport me lokacionin. Tash nuk e di ku kanë mbetur me procedurat”, ka thënë Luzha.
