Aktuale
Ramosaj: Investimet në Deçan do t’u japin shpresë njerëzve të jetojnë këtu

Të qeverisësh me komunën e Deçanit për kryetarin Bashkim Ramosaj, po aq sa është një gjë sfiduese, po ashtu është dhe privilegj.
Ramosaj tregon arritjet dhe problemet që ka hasur gjatë punës së qeverisjes së tij lokale, gjatë së cilës prioritete absolute kanë qenë arsimi dhe shëndetësia.
Sipas tij, tashmë nxënësit dhe personeli arsimor shumë më lehtë do të kenë procesin mësimor, pasi tetëmbëdhjetë shkolla i kanë hyrë procesit të rinovimit të plotë. Të njëjtin efikasitet thotë se ka pasur dhe në sektorin e shëndetësisë, ku sipas tij shumë shpejt pritet që QKMF-ja në Deçan të jetë e kompletuar.
“Krejt këtë punën tonë qe e kemi bërë ka qenë një vit me dinamikë shumë të madhe, kemi pasur projekte të shumta që kemi realizuar, një pjesë të projekteve që realisht presin të realizohen dhe vitin e ardhshëm e në vazhdim. Prej objektivave që ne kemi para përcaktuar këtë vit, në sektorin e arsimit janë tepër i kënaqur, sepse kemi investuar mjaftueshëm dhe brenda vitit 2019, thuaja vetëm një shkollë në territorin e komunës së Deçanit nuk kemi pasur mundësi me siguruar buxhet që me bërë me efiçiencë ose me rinovuar. Kurse 18 shkolla tjera deri në shtator 2019, thuajse të përfundojnë, një pjesë diku prej 9 shkollave ka përfunduar këtë vit. Në sektorin e shëndetësisë kemi arritur, po ashtu, arritje të mëdha, sepse kemi rinovuar gjitha QMF-të dhe jemi në përfundim e sipër tash të Qendrës Emergjente, një qendër e re që është me standardet dhe kushtet çfarë kër kon koha”, tha Ramosaj.
Kryetari Ramosaj konsideron se dy projektet që janë vitale për komunën e Deçanit kanë filluar. Rruga Deçan-Plavë dhe rregullimi i shtratit të lumit në këtë qytet , sipas tij, këto projekte do t’i japin shpresë qytetarëve të jetojnë në këtë qytet.
“Si objektiva kryesore të qeverisë në bashkëpunim dhe me neve, që unë i jam mirënjohës, kanë ndodhur investime të cilat kanë me i dhënë kuptim këtij vendi. Kanë me i dhënë njerëzve shpresë për të jetuar në këtë vend, sepse, deri tash e kemi pasur një vështirësi mjaft të madhe që me i besuar zhvillimit ekonomik të kësaj komune. Janë disa investime që kanë ndodhur prej nivelit qendror në bashkëpunim dhe me neve. Kemi memorandume të bashkëpunimit. Janë dy investimet, të cilat kanë domethënie shumë të madhe për neve. Është rruga e parë, Deçan-Plavë, që faza e parë e punimeve veçse është kryer. Tash do të shohim kur krijohen kushtet klimatike me filluar me fazën e dytë. Investimi i dytë që është i rëndësishëm për mua, është rregullimi i shtratit të lumit që është një projekt mjaft kapital. Mirëpo që Deçanin ka me bërë qytetin me pamjen më të bu kur në Kosovë kur ai projekt të realizohet”, tha Ramosaj.
Ndërsa, për disa projekte që nuk janë realizuar këtë vit, kryetari Ramosaj thotë se do të realizohen vitin e ardhshëm. Sidomos e rëndësisë së veçantë ai përmend zgjidhjen e problemit të ujit të pijshëm në disa zona të Deçanit dhe zgjerimin e rrugës së qendrës në këtë komunë.
“Projekti më delikat dhe më i rëndësishëm për neve si komunë dhe në bashkëpunim me CDI-n zvicerane, një organizatë që po financon me ujësjellësin me ujë të pijes. I kemi tre lokalitete ende pa ujë të pijes, dy Ratishat. Ratishën e Epërme dhe Ratishën e Poshtme dhe Maznikun, që besoj se deri në pranverë, kah qershori diku do të jetë punë e përfunduar. Mirëpo që s’kemi mundur ende me e kryer si procedurë. Njëkohësisht po ashtu, dhe një objektiv që nuk kemi mundur me realizuar dhe që është shtyrë për vitin 2019, po ashtu për shkak të mungesës së buxhetit është zgjerimi i qendrës së Deçanit. Është thuaja i vetmi qytet me një rrugë, e cila nuk i plotëson kërkesat dhe nevojat e qytetarëve dhe në komunikacion ndonjë herë krijohet tollovi më e madhe se që duhet. Po shpresoj që këtë objektiv do të fillojmë veç me zbatuar”, tha ai.
Duke marr parasysh se Deçani përbëhet prej shumë fshatrave dhe rol të rëndësishëm për zhvillim ekonomik dhe rritje të ardhurave të banorëve është bujqësia, kryetari Ramosaj thotë se ka bërë çmos që t’iu dalë në ndihmë atyre përmes subvencioneve.
“Në bujqësi kemi pasur subvencione këtë vit, thuaja se jo të mjaftueshme, por të konsiderueshme po, sepse krejt fermerët dhe bletarët, blegtorët, njerëzit që marren me bujqësi, kanë marrë subvencione. Kanë ardhur, kanë aplikuar, kanë fituar të drejtën për subvencione si ndihmesë shtesë. Jemi në këtë fundvit ku Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndarë diku rreth 300 mijë euro për blerje të krerëve të lopëve që janë me pedigre. Po ashtu, edhe komuna ka ndarë një pjesë të buxhetit që po mendojmë që prej janarit, shkurtit të vitit tjetër t’i shpërndajmë”, tha Ramosaj.
