Aktuale
Kosova me pikë tranziti në portin e Durrësit, Minxhozi: Është përcaktuar vendi, presim palën kosovare

Me 26 nëntor të vitit që lamë pas, kryemistri Edi Rama do të deklaronte në mbledhjen e përbashkët të qeverisë së Shqipërisë dhe Kosovës në Pejë se nga 1 janari i 2019, Kosova do të kishte pikën e vet të tranzitit në portin e Durrësit.
Ambasadori shqiptar në Kosovë, Qemal Minxhozi, i ftuar në intervistën e mbrëmjen e Ora News tha se nga pala shqiptare është përcaktuar territori në portin e Durrësit që do ti vihen në dispozicion Kosovës, ndërsa autoritetet e kësaj të fundit janë në përgatitje e sipër që ky proces të nisë sa më shpejt.
“Kosova zgjeron kufirin e saj dhe del në det.Po shikojmë mundësinë që në portin e Durrësit, tashmë është përcaktuar një vend që do ti jepet palës kosovare për të përpunuar të gjitha mjetet, të gjithë mallrat që vinë nga deti, bota përtej Adriatikut, që të procesohet me një shpejtësi më të madhe për përpunimin e mallrave. Ky territor do të kontrollohet nga autoritetet e Kosovës, dogana dhe policia e Kosovës.Kjo do të sjellë një përpunim më të shpejtë, transport më të lirë dhe nuk do të ketë radhë.Pala kosovare po merr të gjitha masat për të zbarkuar atje, për të nisur operacionin e përgatitjes së terrenit dhe për të vendosur aparaturat që ky proces të fillojë në një kohë sa më të shpejtë” shprehet Minxhozi.
Shkëmbimet tregtare mes Shqipërisë dhe Kosovës rritje me 70 milionë euro
“Janë 70 milion euro brenda një viti. 205 milion euro janë eksportet e Shqipërisë në drejtim të Kosovës dhe 256 nga Kosova. Gjithësej janë 271 mln euro nga 200 mln që janë realizuar vitin e kaluar. Kjo është rritja më e madhe. Nga pala e Shqipërisë ka një rritje 33% dhe nga pala e Kosovës dhe pala e Kosovës 23%. Janë shifra inkurajuese, por që nuk janë caku i fundit. Shqipëria për Kosovën është vendi numër një ku produktet e tyre janë më prezentë. Aq sa eksporton në Serbi, Maqedoni dhe Mal të Zi përafërsisht janë të barabarta vetëm me Shqipërinë gjatë një viti”, thotë Minxhozi.
Taksa 100% ndaj Serbisë, asnjë efekt në eksportet e Shqipërisë
Minxhozi: Nuk mund të gjykojmë një vendim që ka marrë qeveria e Kosovës.Duhet të shohim pasojat që rrjedhin nga ky veprim.Të gjitha vendet e rajonit mundohen të zënë pjesën e tyre në tregun kosovar.Janë artikuj që nuk i prodhon, sidomos produktet bujqësore.Kosova ka një klimë më të ftohtë se vendet e tjera të rajonit. Po shohim të gjitha mundësitë që ky boshllëk të mbushet, por kjo nuk bëhet me vendime politike. Gjatë kësaj kohe nuk kemi pasur një rritje të dukshme. Kemi eksportuar në Kosovë gjatë 15 ditëshit të dytë të nëntorit deri në 20 dhjetor, rreth 15 mln euro që janë trendi i zakonshëm i eksporteve tona. Megjithatë kompanitë e Shqipërisë kanë rritur intensitetin e tyre për të bashkëpunuar. Por për ne është me interes që ne të vazhdojmë të rritemi në produktet që po krijojmë një traditë të re në Kosovës, sidomos në fushën e materialeve të ndërtimit, produktet e hekurit, produktet bujqësore. Viti 2019 ka krijuar një bazë të mirë që ne të kapërcejmë dhe 300 mln euro shkëmbime mes nesh.
Bashkimi doganor, nga prilli kontrolle sporadike
Minxhozi: Nëse do të shkoni sot drejt Prishtinës, por të kaloni në pikën e Morinës apo në Vërmicës do të shikoni se anga ana kosovare nuk ekzistojnë më kabina kontrolli. Policitë e dy vendeve janë në një kabinë.Kjo procedurë do të thjeshtohet shumë më tepër në muajt në vazhdim.Duhet të punojmë që nga mesi i muajit prill të mos kemi kontrolle në kufi të vazhdueshme për çdo mjet që kalon, sidomos për pasagjerët. Kufiri aty do të jetë, por ne themi zbutje në maksimum të saj. Të ketë kontrolle sporadike.Edhe zbutja e tarifave dhe njësimi i procedurave doganore nga Shqipëria dhe Kosova do ti japë një frymëmarrje më të madhe bizneseve për të kaluar në dy anët e kufirit.
Rruga e Kombit, po punohet për ndërtimin e urave
Minxhozi:Ka një përmirësim të segmentit rrugor nga Morina në drejtim të Kukësit.Po punohet në mënyrë intensive për tu rregulluar urat kryesore që është pjesa më e vështirë për makinat që kalojnë. Po shikohet mundësia që në bazë të fluksit të mund të shikohet në vitet në vazhdim dhe zbutja e taksës së rrugës.
