Arkitekturë
Arkitektura shqiptare gjatë shekujve
Trashëgimia arkitektonike sa e larme për nga gjinitë, po kaq e hershme nga fillesa dhe e gjerë për nga kohëzgjatja, përben një pasuri të rëndësishme për historinë e popullit tonë.
Fillimet e arkitekturës në vendin tonë i shënon banesa prehistorike (deri ne shek 5 p.e.s.),e zbuluar në Dunavec (vendbanim buze-ujor palafite) që i takojnë neolitit të mesëm, dhe në Maliq që i takojnë neolitit. Banesa ndërtohej mbi një platformë druri që mbështetej mbi hunj të ngulur vertikalisht në taban. Në Dunavec janë gjetur 87 hunj të tillë të shpërndarë në mënyrë të çrregullt. Ndërtimet palafite janë përdorur nga iliret për një kohë të gjatë që përfshin edhe tërë periudhën e hekurit.
Banesat prehistorike kanë qenë tre tipash:1-Banesa të futura krejtësisht në tokë, si në Cakran –Fier ;
2-Banesa gjysmë nëntoke, përsëri në Cakran; 3-Banesë mbi tokë që është zakonisht një thineshe.
Unitet arkitektonik paraqesin edhe qendrat e fortifikuara, si në zgjidhjen e terreneve, ashtu dhe në zgjidhjen planimetrike. Duke ndryshuar funksionin nga strehime të një faze para urbane, në qendra të vërteta urbane fortifikimet pësojnë evolucion në zgjidhjet dhe format arkitektonike, si dhe në teknikën e ndërtimit. Këto ndërtime përbëjnë edhe prologun e fortifikimeve antike.
Arkitektura gjatë shekujve V-I p.e.s.
Gjate kësaj periudhe Dyrrahu dhe Apolonia jetojnë një përudhë lulëzimi. Arkitektura dhe Urbanistika e këtyre qyteteve janë bazuar në arritjet e arkitekturës helene po janë të lidhura me realitetin ilir,. Krahas qyteteve koloni , në territorin e Ilirisë se Jugut lindën edhe një tog qytetesh ilire si Bylisi, Amantia, Dimali, Albanopoli, Lisi etj. Ato u vendosën në kodra e maja të larta dhe rrethoheshin me mure të bërë me një teknikë të lartë. Kjo dëshmohet në ndërtimin e portave dhe të kullave mbrojtëse.
Kullat e fortifikimeve antike në vendin tonë kanë formë katrore, rrethore dhe patkoi. Në format planimetrike dhe zgjedhjen e terrenit, fortifikimet kanë një farë uniformimi si në elementet mbrojtës: kurtinat, kullat,hyrjet, të cilat i nënshtrohen një evolucioni të caktuar. Nuratura e fortifikimeve realizohej me gurë në të thatë me gurë të thyer, të latuar, dhe të parapërgatitur.
Trajtimi urbanistik i qyteteve të rrafshëta ndryshon nga ai i qyteteve në terrene të pjerrët. Nga ana tjetër, vendosja e akropolit në anë ose në mes krijon tipa të ndryshëm urbanistike.
Gjurmët e qyteteve nga planet urbanistike, dëshmojnë për një sistem të rregullt dhe të përparuar urbanistik. Ky sistem është karakteristik si për qendrat e krijuara rishtas si Antigonea, ashtu dhe për qendrat e themeluara prej kohesh si Apolonia dhe Oriku. Kjo dukuri dëshmon për një urbanistikë mjaft të përparuar në kohë, pasi themelimi i tyre përkon me fillimet e urbanistikës së rregullt romake.
Ndërtimet Shoqërore janë treguesit më të rëndësishëm të nivelit të arkitekturës së antikitetit.
Në Apoloni, Orik, Buthrot etj., tempujt zënë pikat më dominuese duke luajtur rol të madh në trajtimin urbanistik të qytetit. Por ka edhe raste kur tempujt janë jashtë qyteteve që të përdoren edhe nga popullsia fshatare.
Tempulli më i hershëm është ai i Artemisit në Apoloni dhe Asklepit në Buthrot. Kemi dy tipa tempujsh: me portik me 4-6 kolona në anët e ngushta dhe me kolona vetëm në ballë (me ante).
Shëtitoret. (stoa)gjatë periudhës antike qenë pjesë e pandarë e formulimit urbanistik të qytetit. Ato shquhen për anën ndërtimore dhe zgjidhjen arkitektonike dhe paraqesin galeri të mbuluara me fasadë me kolona, të hapur ndaj ambientit të jashtëm ku grumbulloheshin dhe shëtisnin qytetarët në kohë të keqe ose me diell të fortë, shpesh edhe për mësim. Prej shëtitoreve njohim atë të Apolonisë, Buthrotit, Bylisit etj.
Arkitektura në shekullin I-V e.s.
Në këtë periudhë vihet re se arkitektura vazhdon të ruaje tiparet e mëparshme; fortifikimet bëhen të njëjta në teknikën e ndërtimit. Por me pushtimin e Ilirisë nga Roma disa qytete kthehen në koloni si Dyrrahu, Buthroti, Bylisi, Skodra etj, ku vendosen shumë veteranë dhe tregtarë romakë.
Orientimi i arkitekturës romake drejt asaj helene u ndie më shumë gjatë periudhës së mbretërimit të Augustit kur dihet që perandori nuk e la kurrë Romën ashtu siç dihet se Augusti kreu studimet e larta në Apoloni.
Banesat në Buthrot janë përgjithësisht me peristil, ndërsa në Apoloni është zbuluar një banesë me atrium që i përkiste shtresave të pasura, dhe e zbukuruar me mozaik.
Monumenti më i madh i periudhës antike është amfiteatri i Dyrrahut, i ndërtuar në fillim të shek. II në skajin perëndimor të rrethimit të qytetit. Në formën e eklipsit, ai ka përmasa 150m gjatësi dhe 20m lartësi. Amfiteatri shfrytëzon pjerrtësinë e terrenit për një faqe të shkallares. Arena ka forme eliptike, ndërsa shkallarja përshkohet prej galerish të mbuluara me qemer të përforcuara me nervatura mbi 2m të gjera dhe 4m të larta.
Në qendër të qytetit të Apolonisë janë gjetur monumente me vlera të veçanta si Odeoni (teatër i mbuluar) dhe BULEUTERIONI ose monumenti i Agonoteteve ku mblidhej Këshilli I qytetit. Ndërmjet Odeonit dhe Buleuteronit është gjetur edhe bazamenti i Harkut të Triumfit.