Arkitekturë
Si të transformoni zyrën tuaj në një ambient stimulues dhe energjik

Është e provuar shkencërisht se një ambjent pune i këndshëm stimulon produktivitetin dhe optimizimin tek punonjësit. Kjo vlen për çdo aspekt: nga marrëdhëniet me kolegët, deri në mënyrën se si janë dekoruar zyrat.
Në fakt, zyrat apo studiot janë ambientet ku shumë prej nesh kalojnë pjesën më të madhe të ditës dhe ajo çfarë ndodh apo raportet që krijojmë në brendësi të këtyre ambienteve influencojnë së tepërmi edhe cilësinë e jetës jashtë tyre. Për këto arsye, është shumë e rendësishme mënyra e organizimit dhe mobilimit të tyre.
Ja disa këshilla për të transformuar ambjentin tuaj të punës në një ambjent më produktiv dhe më stimulues!
Stil modern = Relax
Si mund të dallohet një zyrë klasike dhe e vjetër? Shumë thjeshtë: mobilje të mëdha, një dekor i rënduar dhe ngjyra të zymta; elemente këto që i përkasin një kohe kur nëpër zyra kërkohej me patjetër të transmetohej autoritet dhe seriozitet i tepruar.
Nga ana tjetër, një ambient dinamik, kreativ e njëkohësisht profesional karakterizohet nga një stil më minimalist: mobilje të lehta, elemente elegantë, ngjyra të çelura dhe një ndriçim i njëtratshëm.
Ndjesia? Relax dhe energji pozitive.
Organizoni hapësirat sipas tipologjisë së punës
Përpara se të nisni me mobilimin, duhet fillimisht të mendoni se si të organizoni hapësirën. Për këtë proces duhet të merrni në konsideratë tipologjinë e punës tuaj dhe veprimet rutinë që keni ndërtuar.
Për shembull, nëse punonjësit duhet të bashkëpunojnë gjatë gjithë kohës me njëri – tjetrin dhe me ritme të larta, nuk është e këshillueshme që t’i distanconi në tavolina të izoluara apo duke vendosur barriera (mure xhami apo druri) mes tyre. Kjo gjë vështirëson procesin e punës dhe shton kostot në energji. Nga ana tjetër, nëse flitet shpesh në telefon me klientët apo nëse punonjësit kanë detyra specifike që nuk kërkojnë shumë ndërveprim mes tyre, zyra mund të organizohet në një mënyrë që mund t’i lejojë më shumë hapësirë gjithësecilit.
Jepini rëndësi cilësisë dhe mos kurseni tek mobiljet
Gjithëkujt i ka rastisur të punojë apo të ketë vizituar një zyrë të mobiluar me artikuj të blerë, dukshëm, lirë. Në këto raste, përtej pamjes, ajo që vërtet vihet re është mungesa totale e rehatisë dhe e funksionalitetit. Arsyeja kryesore përse mobiljet e zyrës nuk duhet të jenë “të lira” është mënjanimi i shqetësimeve fizike apo ulja e produktivitetit dhe e kreativitetit.
Si duhen zgjedhur pajisjet?
Kur imagjinojmë një zyrë, në mendje na vijnë menjëherë tavolinat. Një tavolinë ideale duhet të ketë përmasa të përshtatshme, që t’i mundësojë punonjësve të kryejnë detyrat e tyre në mënyrë sa më komode dhe efektive. Mund të jetë prej druri cilësor ose prej xhami, i cili i fal ambientit më shumë dritë dhe një ndjesi pastërtie.
Karriget mbeten gjithashtu një elementet tjetër kyç. Këto të fundit duhet të jenë sa më komode, rezistente, ergonomike dhe me lartësi të rregullueshme, sidomos për ata që punojnë në kompjuter.
Përtej dizajnit unik dhe materialeve cilësore, nëse doni që punonjësit apo bashkëpuntorët tuaj të jenë gjithmonë në formë merrni në konsideratë karriget ergonomike. Këto të fundit janë një risi të cilat jo vetëm rrisin produktivitetin, falë ndjesisë së mirëqenies kur ulemi mbi to, por edhe ndihmojnë në mbajtjen e shpinës në një qëndrim korrekt dhe mbajnë larg shqetësimet fizike. Madje, ju mund të zgjidhni edhe karrige ergonomike tërësisht jokonvencionale, në formë topi, të cilat ndihmojnë edhe në elasticitetin e muskujve, pa e humbur aspak ritmin e punës.
Qetësojini sytë!
Edhe pse shpesh konsiderohen si të dorës së dytë, ndriçimi dhe elementet e dekorit influencojnë së tepërmi në humorin dhe produktivitetin gjatë punës.
Projektimi i kujdesshëm i ndriçimit është thelbësor në një mjedis pune. Zgjidhja optimale do të ishte një dritë e përhapur dhe e adaptueshme sipas nevojës, e cila nuk i lodh apo verbon sytë.
Preferohen dritat me konsum të ulët të energjisë, me ngjyra të ngrohta dhe jo ato të ftohtat, si e bardha ose ajo pothuajse blu.
Ngjyrat që përdorim për muret e zyrës gjithashtu kanë një rëndësi të veçantë dhe influencojnë së tepërmi humorin gjatë punës. Ngjyrat ideale për të transmetuar energji mbeten ato të hapurat dhe me ndriçim, si e verdha, portokallia apo ato më të ngrohta dhe relaksuese si bezha. Ngjyrat e ftohta gjithsesi nuk duhen evituar plotësisht por kini kujdes pasi mund të shkaktojnë përgjumje apo edhe stres.
Humori vjen edhe nga… dekori
Megjithëse dekori duhet të përshtatet gjithmonë me llojin e zyrës, ka elementë që i qendrojnë çdo stili! Për shembull tapetet, bimët e ulëta (përse jo, edhe ekzotike) apo perdet me ngjyra, i shtojnë gjallërinë të gjitha llojeve të ambienteve. Kujdes i veçantë duhet treguar në kombinimin e këtyre elementëve, pasi efekti i përfituar mund të mos jetë gjithmonë ai i dëshiruar. Mos harroni edhe të tregoni punët tuaja më të mira apo certifikatat që vërtetojnë profesionalizmin tuaj duke i vendosur nëpër mure me disa korniza elegante.
Sugjerimi ynë është që të reflektoni mbi imazhin që dëshironi të përcillni mbi zyrën tuaj dhe më pas të filloni të dekoroni. Për shembull nëse jeni një zyrë avokatie, zgjidhni elemente që pasqyrojnë rregull dhe profesionalizëm ose nëse jeni një sipërmarrje që operon në fushën e dizajnit, fotografisë apo të marketingut përpiquni të dekoroni në një mënyrë më artistike: me ngjyra dhe madje edhe me orendi më trasgresive.
