Tendencat e vitit 2019 risjellin në vëmendjen tonë një element krejt të veçantë arredimi, i cili shton së tepërmi elegancën e ambienteve të kuzhinës.
Bëhet fjalë për meatalin e bakrit. Përveç vlerave estetike, sipas ekspertëve të fushës, bakri është elementi që bën bashkë shijet e të apasionuarve pas dizajnit klasik dhe njëkohësisht edhe preferencat e ndjekësve të linjave moderne. Pra, gati askush nuk mund t’i rezistojë hijeshisë dhe prekjes origjinale të arredimit me bakër.
Për shkak se mund t’i japim lehtësisht formë dhe mund ta përshtasim më së miri me nevojat tona praktike, bakri mund të përdoret lehtë si element i shtuar në mobiljet e kuzhinave tradicionale por edhe në ato më modernet. Nga ana tjetër, aksesorët e bakrit janë një zgjedhje fantastike për t’i shtuar elegancë stilit aktual të kuzhinës tonë, ose mund të frymëzojnë për t’i dhënë një pamje krejt tjetër. Nga scandi-chic e deri te country cottage, ekziston një shumëllojshmëri stilesh që bazohen te elementi i bakrit dhe të gjitha këto janë të afta të sjellin ngrohtësi dhe origjinalitet në kuzhinë.
Tradicionalja dhe modernia në një element të vetëm
Ngjyra e bakrit është tejet e veçantë në llojin e saj pasi, në varësi të hijeve apo të finiturave me të cilën punohet, ky element mund të dhurojë një pamje moderne dhe njëkohësisht klasike.
Bakri tradicional ka një ngjyrë me tonalitet të ngjashëm me atë të tunxhit, dhe nëse zgjedhim një nuancë të ngjashme me bronzin, kuzhina jonë do të duket tejet klasike. Pajisjet e para të gatimit prej metali në historinë e njerëzimit ishin prej bakri, të cilat u krijuan fillimisht gjatë Epokës së Bronzit. Ndërkohë që mënyra e prodhimit dhe e përdorimit të bakrit ka ndryshuar ndër shekuj, duhet theksuar se është ende e vështirë të gjendet një stil dekorimi më tradicional se sa ajo me elementet prej bakri.
Bakri mund të krijojë apo të falë ndjesi me një stil edhe më modern nga se e kishim imagjinuar. Për shembull, ngjyra rose gold, e krijuar nga shkrirja e nuancave të bakrit me ato të arit të verdhë, është tejet e preferuar vitet e fundit dhe ka prekur jo vetëm arredimin e kuzhinave por madje edhe pajisjet high – tech. Ndërthurja e nuncave në rozë me shkëlqim e lëmuar të ngjyrës karakteristike të bakrit, i shton ngrohtësi dhe ndriçim të gjithë aksesorëve apo mobiljeve ku aplikohet dhe gjithashtu i përshtatet gati të gjitha stileve të kuzhinave moderne.
Enët e gatimit dhe aksesorët e dekorit
Vetë enët e gatimit janë mënyra më e mirë për të integruar sa më shumë elemente bakri në kuzhinë. Nëse hidhni një sy përreth, ose nëse bëni një kërkim të shkurtër online, do të kuptoni se ekziston një varietet i gjerë enësh prej bakri në treg, prej të cilave ne mund të zgjedhim atë çka na duket më tradicionale apo moderne për shijet tona.
Për t’i dhënë një pamje më klasike, por pa humbur prakticitetin, ne mund të shtojmë në kuzhinë pajisje gatimi joelektrike prej bakri. Për shembull tiganët me bazë bakri të fortë janë një zgjedhje tejet interesante: janë estetikisht elegante dhe kur i përdorim falin ndjesi sikur po gatuajmë si profesionistë të vërtetë, nga ata të një epoke tjetër. Një rezultat të ngjashëm e japin edhe kullesat, ibrikët, garuzhdet, çajnikët apo lugë-matëset prej bakri. Nëse eksperienca e gatimit nuk është tepër komode me këto enë me bazë bakri, shumë mirë mund të përdoren thjesht si elemente dekori, duke i vendosur dukshëm përreth ambientit të kuzhinës.
Të gjitha enët e gatimit të sipërpërmendura kanë po të njëjtën hijeshi dhe efekt viziv edhe te kuzhinat me një stil më modern, por në këtë rast duhet të zgjedhim një dizajn më novator. Një zgjedhje e përkryer do të ishin enët e gatimit me një stil minimalist apo art deco. Ngjyra e bakrit ka një pamje elegante dhe përcjell shije të rafinuara bashkëkohore edhe kur aplikohet direkt tek elektroshtëpiakët. Thekëset e bukës të veshura pjesërisht me ngjyrë bakri dhe me nuanca argjendi ose me shkëlqim të zi, përtej prakticitetit, janë tejet trendy. Të njëjtat ngjyra mund t’i kombinoni apo t’i kërkoni tek një ibrik elektrik, te mikrovala, ose te një mikser. Në rastin e kuzhinave moderne, rezultati nuk është vetëm magjepsës por edhe tejet praktik.
I njëjti stil mund të aplikohet edhe tek aksesorët e dekorit. Kornizat e pikturave (apo të fotove familjare) dhe vazot e luleve janë aksesorë të cilat mund të gjenden lehtë dhe goxha lirë. Të lara apo të përbëra kryesisht nga bakri, nëse vendosen bukur në tavolinën e ngrënies, në mure apo pranë pajisjeve elektroshtëpiake, këta aksesorë do t’i jepnin prekjen finale dekorimit me bazë bakrin.
Bakri si pjesë e vetë dizajnit të kuzhinës
Trendi i përdorimit të bakrit në kuzhinë nuk ndalet vetëm tek enët e gatimit dhe tek aksesorët e dekorit. Për ta përfshirë bakrin në “zemrën” e kuzhinës tonë, natyrisht duhet bërë pak më shumë sforco se sa ndërrimi i tiganëve apo se sa vendosja e disa vazove mbi banak. Bakri mund të bëhet pjesë e vetë mobiljeve dhe elementeve të tjerë që përbëjnë kuzhinën.
Në vend të pllakave të thjeshta, arkitektët e arredimit të kuzhinave sugjerojnë që muri, në hapësirën mes sobës (apo lavamanit) dhe rafteve të sipërme të mobiljes, të vishet me një shtresë metalike apo porcelani me ngjyrat e bakrit. Me këtë zgjedhje estetike i tregojmë të gjithëve që i kushtojmë vërtet kujdes të veçantë dizajnit të kuzhinës.
Një alternativë estetikisht e këndshme është edhe lyerja e kontureve të tavolinës dhe ato të banakut me ngjyrën e bakrit. Përveçse thyejnë monotoninë që krijohet nga një sipërfaqe e madhe njëngjyrëshe, konturet e bakrit i japin elegancë dhe atmosferë tejet moderne kuzhinës. Nga ana tjetër, për t’i dhënë një frymë edhe më tradicionale, mjafton të montojmë mishelatorë bakri mbi një lavaman të bardhë ose ngjyrë kremi. Sa herë do të na duhet të kalojmë pjatat tona në ujë të rrjedhshëm edhe procesi i zakonshëm i larjes së enëve do të kthehet në një eksperiencë plot hijeshi dhe me një stil origjinal vintage.’
Ashtu siç bëjmë për të gjitha ambientet e tjera të shtëpisë edhe kuzhina meriton vëmendjen tonë sa i përket ndriçimit. Më konkretisht, ne mund të montojmë ndriçues prej bakri ose të larë me këtë metal. Ndërthurja e elegancës dhe e funksionales në abazhurë apo lampadarë të tillë do të ishte në harmoni të plotë me të gjithë elementet e tjera që kemi përfshirë në kuzhinë. Një abazhur i varur, një statik në cep të kuzhinës apo një bracetë muri do të ishin prekja finale për modelimin e një kuzhine që përfiton maksimumin nga shkëlqimi i materialit të bakrit.
Zakonisht, jemi mësuar që t’i ndjekim tendencat më të fundit të arredimit “këmba-këmbës”, por me kohën mësohemi apo lodhemi nga këto trende dhe kërkojmë të ndryshojmë gjithçka. Por përfshirja e elementit të bakrit në dizajnin e kuzhinës tonë duhet të na bëjë të reflektojmë dhe ta marrin seriozisht. Kemi të bëjmë me një trend që nuk perëndon prej shekujsh.