Aktuale
Raporti i Inspektoratit të Punës për lëndimin e 6 punëtorëve të “Bechtel&Enka”-s

Mbrëmjen e 26 tetorit gjashtë punëtorë të kompanisë “Bechtel&Enka”, derisa po punonin në urën më të gjatë në rajon, atë në Autostradën “Arbën Xhaferi” u lënduan. Njëri prej tyre kishte mbetur i varur në “luncher”(vendosësi i trajeve të mëdhenj), 45 metra lartësi.
Shkruan: Shkëndije Ahmeti
Prej kësaj kohe kanë kaluar dy muaj, por që Inspektorati i Punës ende nuk ka marrë ndonjë masë ndaj kompanisë, ani pse tani ka nxjerrë edhe raportin i cili shpjegon se si ndodhi rasti.
Sipas raportit të Inspektoratit të Punës që ka parë Ndërtimi.info, gjashtë punëtorët kanë pësuar lëndime dhe ka qenë kallëpxhi.
Punëtori Tanju Kaja 27 vjeçar nga Turqia në këtë rast ka marrë lëndime të dorës së majtë dhe lëndim në bërrylin e krahut të djathtë nga goditjet.
Arsim Ademi, ka marrë lëndime në zogun e këmbës së djathtë, ndërsa Fitim Telaku lëndime dhe thyerje të krahut të djathtë.
Kurse, punëtori tjetër Daut Sadiku ka pësuar lëndime në pjesën e sipërme të kokës, lëndimi i anës së majtë të fytyrës dhe syrit, lëndim në krahun e djathtë, lëndim dhe thyerje të brinjës numër 6 nga ana e majtë dhe ndrydhje në shpatullën e krahut të djathtë si dhe shtypje dhe gërvishje të këmbës së majtë, ndrydhje dhe gërvishje në fund shpind nga ana e djathtë, thuhet në raportin që ka siguruar Ndërtimi.info
Lëndime mori edhe punëtori Besnik Sadiku kishte marrë lëndime në krahun e majtë dhe Safet Kafexholli u lëndua në afërsi të zogut të këmbës në anën e majtë.
Ndërsa punëtori Përparim Sadiku që mbeti i varur në 45 metra lartësi në bazë të deklaratës së tij merr lëndime të lehta nga rripi i sigurisë. Lëndime tjera nuk ka, por siç thuhet në raport mund të ketë trauma psiçike për ato që ai ka përjetuar në ato momente, ndjenjë hiç e mirë kjo.
Se ende nuk ka gjoba për kompaninë “Bechtel&Enka”, është shkak se rasti është ende në procedurë, kështu ka thënë për Ndërtimi.info zëvendës kryeinspektori Agim Millaku.
“Ky rast nuk ka gjoba sepse është ende në procedurë sepse nuk ka shumë që është protokolluar si raport. Tash ky raport i dorëzohet punëdhënësit për të parë nëse ka vërejtjeje sepse edhe vërejtjet e punëdhënësit futen pjesë e këtij raporti. Nëse vërtetohet se punëdhënësi nuk ka ofruar fakte të mjaftueshme për arsyeshmërinë e veprimeve apo mosveprimeve të tyre atëherë pason masa ndëshkimore”, tregon Millaku.
Po ashtu Millaku ka treguar se në ditën kritike punëtorët me vinç ishin duke bartur trarin me vendos në dy cepet e urës, por për shkak që nuk është centruar mirë erdhi edhe deri te aksidenti ku mbetën të lënduar gjashtë punëtorët.
“Ditën kritike këta punëtorë kanë qenë duke punuar në Urën që ndërtohet mbi lumin Lepenc. Gjatë vendosjes së trakteve të betonit të urës me peshë 130 ton në urën numër 407 në pikat e caktuara me anë të mekanizmave për lëshimin e trarëve. Pra në vinç ka qenë duke u bartur trari me vendos në dy cepet, në dy mbajtëset e urës. Gjatësia ndërmjet këtyre dy mbajtëseve është 45 metra. Do me thënë ka qenë një peshë goxha e madhe që ka dashtë një koordinim shumë serioz të punëve për me vendos atë trarë në dy pozicionet fikse. Ky tra është vendosur mbi pajisjen hidraulike e cila ka shërbyer për ngritjen e atij trari për me centru në pozicionin e caktuar që sipas inspektorit të punës ky hidraulik ka pëlcit nga mbingarkesa, nga lëvizja ka filluar me rrjedh vajin dhe më nuk ka funksionuar”, shpjegon Millaku.
Krejt kjo sipas Millakut ka të bëjë me operatorin e vinçit dhe sinjalizimin e centrimit për vendosjen e trarëve në pozicionin e duhur.
“Pesha nuk ka qenë e mbingarkuar se vinçi ka bart deri në 160 tona, e kjo ka qenë me peshë 130 tona. Por nuk është centru mirë, nuk është centru në vend, nuk kanë mujt me qëllu saktë në vendin e duhur edhe si rast i tillë ka dështu me u pozicionu. Këtu ka të bëjë me operatorët me vinç, me sinjalizuesit për centrimin e saj. Aty kanë qenë këta punëtorë. Aty është dridhur pozicioni”, përfundoi Millaku.
Kujtojmë që brenda këtij viti, në vendin e punës kanë humbur jetën 23 punëtorë, 12 prej tyre në sektorin e ndërtimit. Për këto vdekje Inspektorati i Punës ka shqiptuar gjoba ndaj kompanive ku ata punonin. Gjobat e shqiptuara që ka siguruar Ndërtimi.info, del që çmimi më i lartë ishte 10 mijë e 500 euro për kompaninë Sh.P.K “Timi Construction” ku vdiq punëtori 30 vjeçar, Valon Berisha. Ndërsa ajo më e ulëta 2 mijë euro ndaj kompanisë “SatStyro” për vrasjen e 17 vjeçarit Seldin Alija.
Ndërsa në vitin 2017 në vendin e punës kanë humbur jetë 19 punëtorë.
Për sigurinë e punëtorëve në vendin e punës, Inspektorati i Punës mori aksioni që të ndalonte punën kompanive ndërtimore të cilat nuk kishin pajisje të punës për siguri dhe skele mbrojtës. Nga i cili aksioni vetëm në Komunën e Prishtinës mbylli 101 vendpunishte në mungesë të skeleve mbrojtëse, dhe 16 vendpunishte në Gjilan.
