Aktuale
“Bienale e Arkitekturës 2018” prezantohet në Prishtinë, nënshkruhet memorandum bashkëpunimi

Prishtina ishte komuna e radhës me të cilën Asociacioni i Arkitektëve të Kosovës nënshkroi memorandum bashkëpunimi për “Bienalen e Arkitekturës 2018”.
Memorandum bashkëpunimi u nënshkrua nga i pari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe kryetari i Asociacionit të Arkitektëve të Kosovës, Astrit Nixha.
Ky i fundit gjatë prezantimit të “Bineales së Arkitekturës 2018” tha se votimi do të bëhet nga anëtarët e asociacionit dhe se nuk do të ketë intervenca partiake, raporton Ndërtimi.info
“Po dojna me shpërnda sa më shumë sensibiliteti ..ky organizim që jemi duke e bërë ka me shku nëpër komuna ka me qenë i ekspozuar. Diku në shkurt kemi me bërë mbrëmjen dhe kemi me i bë shpërblimet, kanë me votu anëtarët e asociacionit, nuk ka me intervenca partiake me fitu dikush dhe shpresojmë që ka me qenë çdo dy vjet sepse nuk besoj që ka me pas zhvillim të madh”, tha Nixha.
Ky memorandum mori mbështetjen e kreut të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti i cili potencoi që në konkurset e ardhshme të komunës do të kenë edhe bashkëpunim me arkitektët në mënyrë që një projekt të marrë formën sa më mirë.
“Ne e kemi pas disa bashkëpunime që kanë qenë konkrete për rastet specifike përfshirë edhe diskutimi për herën e fundit që vazhdon të bëhet për sallën koncertale. Kemi edhe disa konkurse që do të zhvillohen dhe kisha dashtë që për këto referenca me u përgadit në bashkëpunim me shoqatën e arkitektëve. Na vyn disa konkurse të mëdha për me arrit dhe me kry një punë më të thjesht. Sepse po e shoh se sa herë kemi konkurs po na duhet një kohë e madhe për me përgatit referencat”, potencoi Ahmeti.
Ndërkaq, Nixha tregoi se veç shpërblimeve që do të ketë për ndërtimet që janë bërë në Kosovë, do të shpërblehen edhe projektet e kosovarëve që janë bërë jashtë vendit.
“Shpërblimet janë për gjithçka që është ndërtuar në Kosovë dhe prej kosovarëve kudo në botë. Sepse duhet me mendu edhe çka ka jashtë se kemi fillu me punu pasi nuk po bon ndryshe edhe pa limit kohor mbrapa edhe pasi që janë do probleme që nuk po munden me punu në Kosovë më shumë po punojnë jashtë se këtu”, tregoi Nixha.
Çmimi për veprën jetësore “Bashkim Fehmiu” do të jetë çmimi kryesor i Bienales, e që po ashtu në konkurrim do të futen të gjitha projektet e të gjitha kategorive. Pra përfshihen, kategoria e ndërtesave banesore, ndërtesave administrative, arsimore-edukative, projektet e interierit, kategoria e intervenimit në të cilën hyjnë edhe ndërtesat e trashëgimisë kulturore apo edhe intervenimet që janë bërë në ndërtesat e trashëgimisë kulturore.
Konkursi do të qëndrojë i hapur deri më 31 dhjetor. Ndërsa në muajin shkurt do të organizohet edhe mbrëmja në të cilën do të shpallen fituesit.
Memorandum bashkëpunimi Asociacioni i Arkitektëve të Kosovës do të nënshkruan edhe me Komunën e Prizrenit, në javën e parë të 2019-ës.
