Connect with us

Aktuale

Ndërtohet shkolla pa projekt adekuat

Published

on

Komuna e Malishevës vitin e kaluar kishte iniciuar procedurat e prokurimit për ndërtimin e një shkolle në fshatin Llazicë pa pasur një projekt të veçantë të ndërtimit.

Për ndërtimin e shkollës “Gjergj Kastrioti” në Llazicë komuna ka përdorur projektin e një shkolle ekzistuese pa bërë fare adaptimin e atij projekti. Në dosjen e tenderit për ndërtimin e shkollës në Llazicë, Preportr ka gjetur se i gjithë projekti është i njëjtë me projektin e shkollës fillore “Salih Bytyçi” në Shkozë.

Preportr ka shqyrtuar kontratën për ndërtimin e shkollës “Gjergj Kastrioti” e nënshkruar më 05.07.2017 nga Komuna e Malishevës me operatorët ekonomik N.N “Themeli” dhe “Electra” SH.P.K. Kontrata ka vlerën prej 427,745 euro. Ekipi i Preportr gjithashtu ka vizituar dy shkollat e komunës së Malishevës të cilat edhe ne dukje vërehen për nga ngjashmëritë.

Si pasojë e mos planifikimit të mirë të projektit, komuna e Malishevës një muaj më vonë kishte nënshkruar një aneks kontratë në mënyrë që të përfundojnë punimet. Çmimi i aneks kontratës kap vlerën prej 41, 964.95 euro.

Këtë problem në procedurë të prokurimit e ka konstatuar edhe raporti i Zyrës Kombëtare të Auditimit në vitin 2017. Sipas auditorit si pasojë e mungesës së një projekti adekuat për ndërtimin e këtij objekti, komuna është detyruar të bëj aneks-kontratë për realizimin e punëve.

“Nënshkrimi i kontratave në mungesë të projektit ekzekutiv rritë rrezikun e pranimit dhe menaxhimit jo adekuat të punimeve. Gjithashtu parregullsitë e identifikuara mund të reflektojnë edhe me punë shtesë dhe pagesa të parregullta apo vlerë të dobët për para”, thuhet në raport.

Preportr ka kërkuar nga komuna e Malishevës arsyetimet se pse ka filluar procedura për tenderim pa pasur projektin adekuat por ende nuk ka marrë përgjigje.

Ndërtimi pa plan ekzekutiv të ndërtimit vlerësohet si keqmenaxhim

Inicimi i procedurave të prokurimit pa plan ekzekutiv të ndërtimit siç kërkohet me nenin 28 të Ligjit të Prokurimit Publik, është një e metë e disa autoriteteve kontraktuese në Kosovë. Përveç shkollës në Llazicë, Zyra Kombëtare e Auditimit kishte gjetur edhe disa raste të njëjta në Komunën e Malishevës.

Sipas njohësve së prokurimit publik në Kosovë, kjo tregon për planifikim të dobët në procedurave të prokurimit publik.

Isuf Zejna nga Demokracia Plus, thotë se raste të ngjashme ku komunat përdorin plane të një institucioni tjetër, ministrie apo komune, janë tejet të shpeshta edhe kjo sipas tij është si pasojë e një mosgatishmërie që të shpenzojmë më shumë para në planifikimin e investimeve.

FAKTI QË NË RASTIN E KOMUNËS SE MALISHEVËS KEMI PASUR NJË ANEKS KONTRATË, E CILA ËSHTË DASHUR T’I MBULOJ SHPENZIMET TË CILAT KANË QENË TË PA PLANIFIKUARA, TREGON QË PROJEKTI NUK KA QENË I MENDUAR MIRË

Isuf Zejna, D+
“Në përgjithësi vërehet nga të gjitha ato autoritete kontraktuese që kemi monitoruar se planifikimi është njëra prej pikave më të dobëta në prokurim, që na sjellë pastaj në situata ku ose na dështojnë investimet kapitale ose duhet të nënshkruhet edhe një kontratë tjetër me për të sanuar problemet të cilat janë identifikuar si pasojë e planifikimit jo të duhur”, thotë ai.

Sipas tij “fakti që në rastin e komunës se Malishevës kemi pasur një aneks kontratë, e cila është dashur t’i mbuloj shpenzimet të cilat kanë qenë të pa planifikuara, tregon që projekti nuk ka qenë i menduar mirë”.

Në anën tjetër përdorimi i një projekti pa e adaptuar atë me lokacionin ku planifikohet të ndërtohet, konsiderohet si problem i madh.

Zejna thotë se nëse një shkollë është planifikuar të ndërtohet në Prishtinë, duhet të kemi një plan se sa klasa na duhen si dhe në çfarë terreni do të ndërtohet sepse sipas tij të gjitha këto kanë ndikimin në realizimin e projektit.

Arkitekti Ilir Gjinolli vlerëson se gjithmonë kur vendoset të përdoret projekti i një ndërtese tjetër ai paraprakisht duhet të adaptohet në mënyrë që të përshtatet me lokacionin.

“Nuk është rasti i vetëm, ka shumë projekte tipike që replikohen në vende të ndryshme. Ndërtimi i projektit në një vend tjetër është gjithmonë i lidhur me kohën e shkurtër për përgatitje për projektim, kështuqë procesi i prokurimit bëhet me projektin ekzistues në një lokacion tjetër dhe si pasojë specifikacionet nuk përputhen as sa i përket materialeve as sa i përket sasive të tyre”, thotë Gjinolli.

Kjo është pjesë e dosjes së tenderit për shkollën në Llazicë ku në skema shihet që është projekti i njëjtë me shkollën në Shkozë

Sipas tij projekti i ndërtimit për një lokacion punohet në bazë të aftësisë mbajtëse të tokës, orientimit,apo eventualisht të prezencës së ndonjë vije të ujit etj.

“Këtë rast mundemi me e diskutu në dy aspekte, në lidhje me prokurimin si proces ku harxhohet një shumë e mjeteve dhe në situata të tilla duhet me bo punë shtesë për shkak se mundet me qenë terreni më i pjerrët apo me kërku themele më të larta, dhe në anën tjetër problemet munden me qenë teknike dhe të sigurisë”, thotë Gjinolli.

Aktuale

Deodorantë, shishe uji plastike…: Çfarë nuk duhet të lini në vetura në ditët e nxehta?

Published

on

Dielli dhe nxehtësia kanë një efekt shkatërrues në disa gjëra që përdorim dhe nuk është e mençur t’i lëmë në vetura.

Duket e arsyeshme të mbani një shishe me ujë në veturën tuaj gjatë një vale të nxehtë. Megjithatë, bisfenoli A dhe ftalat në plastikë, kimikate që veprojnë si lidhës dhe e bëjnë plastikën fleksibël, po shkaktojnë shqetësim tek ekspertët që studiojnë efektet e tyre në shëndetin e njeriut. Lënia e ujit në shishe plastike në një makinë të nxehtë mund të bëjë që këto substanca të lëshohen në ujë, shkruan The Sunday Times.

Nxehtësia e madhe në vetura mund të dëmtojë bateritë e të gjitha pajisjeve që i përdorin, që nga kompjuteri, celularët… Ka edhe shishe me krem kundër diellit, të cilat nuk duhet t’i lini në diell (një paradoks interesant, apo jo?) sepse në disa raste mund të shpërthejnë. Më pas janë të gjitha spërkatjet, nga deodoranti tek llaku i flokëve. Kur temperatura arrin rreth 48 gradë Celsius, presioni në rezervuar rritet mjaftueshëm për të shkaktuar një shpërthim, thonë ekspertët. Kornizat plastike të syzeve të diellit mund të shtrembërohen dhe zbardhen, dhe lentet mund të shtrembërohen.

Disa ilaçe, si antibiotikët, duhen mbajtur në frigorifer. Ilaçet në përgjithësi nuk e tolerojnë nxehtësinë dhe disa prej tyre do të bëhen të papërdorshme pas ekspozimit ndaj temperaturave jashtëzakonisht të larta. Nëse përdorni injeksione adrenaline, dobia e tyre zhduket në automjetet e nxehta. E cila, natyrisht, është çështje jete ose vdekjeje.

Buzëkuqi do të shkrihet në temperatura të larta.

Është dokumentuar se kanaçet e gazrave mund të shpërthejnë kur ekspozohen ndaj nxehtësisë ekstreme. Edhe lëngu i portokallit mund të shpërthejë nëse lihet në makinë për një kohë të gjatë, dhe kjo do të thotë një brendshme ngjitëse…

Lënia e çakmakut të disponueshëm në makina në ditët e nxehta nuk është një ide e zgjuar. Shpërthimi i tyre mund të shkaktojë dëme të mëdha dhe madje të thyejë xhamin e përparmë./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Themelohet Oda e Minierave të Kosovës

Published

on

Me ceremoni të mërkurën është bërë hapja e Odës së Minierave të Kosovës që u konsiderua një hap tejet i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, raporton Ekonomia Online.

Themeluesi, Mentor Demi, ka thënë se kjo ceremoni është një hap shumë i rëndësishëm në drejtim të zhvillimit të industrisë së minierave në Kosovë.

Alaudin Kodra, anëtar i Bordit në Odën e Minierave të Kosovës, ka thënë se gjeologjia e Kosovës, është e pasur dhe pikërisht kjo ka qenë një nga arsyet e fillimit të tij për punuar në Kosovë.

“Ligji minerar është ligj i mrekullueshëm i cilësisë së lartë për dallim nga. Pjesa perëndimore e Kosovës është një vazhdimësi e gjeologjisë së Shqipërisë. Kosovës i duhen kompani serioze, dua të iu urojë gjithë të mirat të keni suksese”, ka thënë nder tjera Kodra.

Zëvendësministri i Industrisë, Sipërmarrjes dhe Tregtisë, Mentor Arifaj, ka thënë se kontributi i madh për të ardhur deri te hapja e Odës është për tu vlerësuar.

“Do ta luajë një rol ndërmjet një katalizatori i akterëve të shumtë dhe investitorëve potencial qoftë vendor apo ndërkombëtarë. Oda do ta luajë një rol të rëndësishëm në kuptimin e avancimit duke përfshirë njësi të ndryshme në arenën ndërkombëtare në sektorin e minierave”, ka thënë ai.

Nurten Deva, Rektor i Universitetit Isa Boletini, ka thënë se zhvillimi i industrisë minerare ka një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik.

“E përgëzojë zotëri Demin për guximin që ka ndërmarrë një hap të tillë për themelimin e një odë nga privatët. Nuk e kanë pas mbështetjen e duhur për të arritur vizionin në planet e tyre strategjike”, ka thënë Deva. Andor Lips, Drejtori jo-ekzekutiv në Western Tethyan Resources, ka thënë se Osat kanë shumë të rëndësishme si një lloj urë lidhëse në mes të investitorëve të huaj dhe institucioneve shtetërore./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Gjykata e Apelit anulon vendimin për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit në Vjosë

Published

on

Pas 10 vitesh nëpër procese gjyqsore, banorët e Mallakastrës fituan të parën betejë ligjore për çështjet mjedisore në vendin tonë. Gjykata Administrative e Apelit në Tiranë anuloi të mërkurën vendimin për ndërtimin e hidrocentralit Poçem në lumin Vjosa. Gjykata i dha të drejtë banorëve dhe organizatave mjedisore, duke konfirmuar aktvendimin e plotë të shkallës së parë dhe argumentet e tij në mbështetje të pretendimeve të paditësve.

Vendimi shënon fitoren përfundimtare të çështjes së parë mjedisore të trajtuar nga Gjykata në Shqipëri.

Beteja ligjore ka nisur në dhjetor të vitit 2016 nga EcoAlbania, EuroNatur dhe Riverwatch, së bashku me 38 banorë të fshatit Kutë në Mallakastër. Ata kundërshtuan ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit, duke pretenduar se “procedurat e ndjekura për dhënien e kontratës koncensionare si dhe procesi i konsultimeve me publikun, ishin zhvilluar në shkelje të legjislacionit shqiptar dhe të konventave ndërkombëtare”.

Banorët dhe organizatat fituan betejën e parë në maj të 2017, kur Gjykata Administrative e Shkallës së Parë vendosi në favor të tyre.

Palët e paditura janë Ministria e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Avokati i Shtetit (në emër të Ministrisë së Energjisë) dhe shoqëria koncesionare (Kovlu Energy), të cilat apeluan vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Pas 8 vitesh Gjykata e Apelit ka vendosur të rrëzojë padinë e tyre dhe të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Ndërkohë që vijonte kjo betje ligjore, banorë dhe organizata mjedisore si EcoAlbania nisën fushatën në mbrojtje të lumit Vjosa “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”.

Pas një beteje të gjatë, në Mars 2023, lumi Vjosa dhe degët e tij Drino, Bënça, Shushica dhe Kardhiqi, u shpallën Park Kombëtar duke ofruar mbrojtje ligjore edhe nga 45 hidrocentralet e planifikura për t’u ndërtuar në gjithë basenin e Vjosës.

Drejtues i Eco Albania Olsi Nika në një reagim për mediat tha se “edhe pse ky vendim vjen në një tjetër realitet, pas shpalljes së Parkut Kombëtar të Vjosës, ne e konsiderojmë si një arritje për komunitetin, aktivistët dhe avokatët e angazhuar në mbrojtjen e lumit Vjosa, të cilët e kanë ndjekur këtë çështje me rigorozitet dhe vendosmëri”.

Hidrocentrali i Poçemit, ishte aktpadia e parë e një çështjeje mjedisore në Gjykatën Administrative në Shqipëri. Ajo i hapi rrugën shumë çështjeve të tjera mjedisore të ngritura nga organizatat dhe banorët për të kërkuar të drejtën për ruajtjen e pasurive natyrore të vendit.

Avokati i çështjes Vladimir Meçi tha se vendimi përfundimtar përbën një arritje në ndërtimin e praktikës gjyqësore administrative që lidhet me te drejtën mjedisore në Shqipëri.

“E gjithë ecuria e çështjes së kundërshtimit të ndërtimit të HEC-it të Poçemit në rrugë gjyqësore, është një model pioner për të gjithë ata që kanë qenë pjesë e tij, përfshirë Organizatat, komunitetin, ne avokatët por edhe vetë gjykatën”, tha Meçi./Mediqa Ndërtimi

Continue Reading

Trending