Aktuale
Rrëshqitja e dheut, Gllogu do rindërtimin e shtëpisë te “Muhaxherët”

Një familje nga Prishtina është në një kontest me një kompani ndërtimore.
Gjithçka ka nisur rreth ndërtimit të një objekti, e më pas u vazhdua edhe kur familja u shpërngulë në një lagje tjetër, larg shtëpisë. Por edhe nga kjo shtëpi Arsim Gllogu me familjen e tij po detyrohet që nga lagjja “Emshir” e kryeqytetit të bartet sërish në një vend tjetër.
Vitin e kaluar atë e larguan nga lagjja e “Muhaxherëve” për shkak se shtëpia e tij u bë e rrezikshme për banim nga shembja e dheut gjatë punimeve të një kompanie ndërtimore.
Për dëmin e bërë “Driloni.Com” pagoi qeranë një vit familjes Gllogu. Por që tani vendosi që ta ndërpresë këtë edhe pse para inspektoratit u premtoi që do të kujdesej deri në zgjidhjen e problemit.
“Edhe po të më ofronte më shumë unë nuk dua. Unë dua vetëm shtëpinë time të rindërtohet dhe dëmet që i ka shkaktuar të paguhen”, thotë Gllogu.
Ai këmbëngul që shtëpia është e pabanueshme ngase kështu para një muaji vlerësuan ekspertët e ndërtimtarisë me urdhë të Gjykatës Themelore të Prishtinës. Por këtë nuk po e pranon assesi “Driloni.com” i cili pretendon se pas sanimit të bërë shtëpia është e sigurt për banim bile ia konteston edhe vlerësimin e ekspertëve pasi që ata janë paguar nga vetë Gllogu.
Avokati i kësaj kompanie Besnik Berisha tha se për dëmin e shkaktuar familjes iu ofrua zgjidhje por që kjo e fundit kërkoi 1 milion euro nga pronari i kompanisë Dalip Gashi.
“Në qoftë se zotëri Gllogut iu është mërzit shtëpia ai mund ta shes shtëpinë por assesi në emër të dëmeve”, tha avokati Berisha.
Meqenëse tashmë me rastin po merret Gjykata Themelore, Komuna e Prishtinës tha se në kohën kur është bërë dëmi komuna ndërpreu punën e kompanisë, dhe ka detyruar pronarin që t’i ofroj strehim familjes. Zëdhënësi i Komunës së Prishtinës Adonis Tahiri deklaroi se pas sanimit të dëmit në shtëpi komuna i ka dhënë leje vazhdimi kompanisë dhe se tani janë në pritje të një vendimi nga gjykata.
