Aktuale
Kërkohet që Ligji për Inspektoratin e Punës të jetë më specifik

Numri i vdekjeve në vendin e punës është alarmante, e inspektorët në gjithë territorin e vendit janë të pamjaftueshëm. Vitin e ardhshëm do të shtohen edhe 10 inspektorë, derisa po shihet mundësia që dikur numri i tyre të jetë për kokë banori. Kjo çështje dhe shumë të tjera që kanë të bëjnë me punën e Inspektoratit të Punës po mundohet të rregullohen përmes një ligji të ri për këtë institucion, shkruan Ndërtimi.info.
Për këtë projektligj u diskutua edhe në tryezën “Sfidat e punëtorëve dhe roli i inspektoratit të punës”, e organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI).
Në këtë diskutim ndër të tjera u përmend dilema se a po inspektohen vendet e punës.
Adelina Hasani nga KDI, përmendi disa nga problemet kryesore me të cilat përballen punëtorët.
“Vdekja e punëtorëve në vendin e punës është alarmante. Ekzistojnë probleme të shumta si mungesë e sigurimit shëndetësor, kontrata e siguria. Krahas vdekjeve mbetet i mangët interesimi që ata kanë pasur kontrata të punës, siguri apo është inspektuar ai vend i punës”, tha ajo.
Hasani theksoi se në Kosovë janë 42 inspektorë, ndërsa në raportin e progresit thuhet se duhet të rritet numri i tyre. Ajo, shtoi se nëse rritet numri i tyre do ta ndal numrin e rasteve të vdekjeve në vendin e punës.
E, me qëllim që të shihet mundësia që Kosova të marrë model të funksionimit të Inspektoratit të Punës, janë hulumtuar praktikat e disa shteteve të Bashkimit Evropian mbi organizimin dhe funksionimin e Inspektoratit të Punës, transmeton Ndërtimi.info.
Autori i këtij hulumtimi për Komisionin për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, Visar Rushiti tha se në bazë të tij del se nuk ka ndonjë vend të BE- së që mund të merret si model për funksionimin e Inspektoratit të Punës.
“Nuk kam pa ndonjë model në të cilin duhet të bazohet Kosova. Modeli i Shqipërisë më është dukur model të cilin duhet ta ndjek Kosova. Është modeli i Malit të Zi, iniciativa që e kemi biseduar që në Kosovë të ketë një inspektorat në nivel qendror qe t’i koordinoj inspektoratet tjera. Ajo që e mbështesim është se inspektoratet të jenë të decentralizuara ose krejt të centralizuara, por jo një që t’i koordinoj se është e vështirë”, tha ai.
Ai, tha se në të gjitha këto vende të hulumtuara, inspektorati është në kuadër të Ministrisë së Punës.
Në 7 vende të hulumtuara (Slloveni, Austri, Estoni, Lituani, Letoni, Danimarkë, Holandë), fokusin e kanë në marrëdhënien e punës dhe sigurinë e shëndetin në punë.
Sipas këtij hulumtimi, në vendet e tjera bëhen më shumë trajnime të inspektorëve para punësimit dhe pas punësimit.
Derisa, këto vende nuk kanë problem me numrin e inspektorëve, në Kosovë ata nuk janë të mjaftueshëm. E, zgjidhja e këtij problemi po shihet të bëhet përmes Projektligjit për Inspektoratin e Punës apo përmes ndonjë akti tjetër.
Kryetarja e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, Besa Baftiu, tha se në Kosovë duhet që të ketë inspektor të punës për kokë banori, derisa shtoi duhet një ligj i Inspektoratit të Punës i cili do të jetë funksional në praktikë.
“Janë marrë parasysh një pjesë e madhe e organizmit, gjobat, kompetenca dhe janë paraparë në projektligj. Nëse bëjmë një dallim të Ligjit të Inspektoratit të Punës dhe Projektligjit tani ka ndryshim. Duhet të bëhet një ligj më funksional edhe në praktikë. Do të diskutojmë edhe në komision që në projektligj të parashihet të rritet numri i inspektorëve. Është e rëndësishme të caktojmë në bazë të numrit të popullsisë e mos të kemi probleme, të kemi inspektor për kokë banori”, tha ajo.
Në anën tjetër zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Çerkin Dugolli bëri të ditur se vitin e ardhshëm Kosovës do t’i shtohen edhe 10 inspektorë të punës.
“Numri i inspektorëve është çështje që duhet ta bisedojmë sinqerisht cilin model do ta marrim. A do të ketë për kokë banori dhe a do të specifikohet numri me ligj. Ne kemi biseduar shumë dhe kemi paraparë që numri nuk është i mjaftueshëm. Për vitin 2019 do të kemi edhe 10 rekrutime të reja të inspektorëve të paraparë me buxhetin për 2019”, u shpreh ai.
E, në mënyrë që Ligji për Inspektoratin e Punës të jetë më funksional, po kërkohet që të jetë i harmonizuar me ligjet bazike. Në mënyrë që të punësohen inspektorë të rinj në vend është paraparë që të mbahet edhe test shtetëror, transmeton Ndërtimi.info.
Kryeinspektori i Punës, Basri Ibrahimi tha se me Projektligjin e ri të Inspektoratit të Punës janë munduar të specifikohen edhe afatet e proceduarave.
“Kemi mungesë të harmonizimit të ligjeve. Ne jemi mundu që ky ligj të ketë harmoni me ligjet e tjera, që të mos ketë dilema. Për mua është gjithë dilemë që ligjet bazike anashkalohen kur bëhen ligjet e reja. Jemi munduar t’i përshkruajmë procedurat dhe të jenë sa më precize. Jemi munduar t’i precizojmë afatet”, u shpreh Ibrahimi.
Ai, tha se janë munduar që të specifikojnë çështjen e profesioneve, derisa tha se kualifikimi me diplomë të ekonomikut të largohet e të jenë shkencat juridike dhe teknike.
Ibrahimi tutje, theksoi se është paraparë që mbahet edhe test shtetëror për inspektorë të punës.
Shqyrtimi i ankesave në shkallë të dytë sipas Ibrahimit nuk duhet të bëhet vetëm nga një person.
“Është menduar të jetë një trup i shkallës së dytë për shqyrtim të ankesave”, tha ai.
Pavarësia institucionale e Inspektoratit të Punës është çështje e cila sipas Ibrahimit është paraparë me këtë projektligj.
Anëtari i grupit punues për Projektligjin për Inspektoratin e Punës, deputeti, Bekim Haxhiu theksoi se duhet të përfshihet edhe kompensimi jetësor, për punëtorët e vdekur në vendin e punës.
“Jemi duke marrë rekomandimet për këtë ligj. Ky ligj ka ardh në momentin e duhur, kur kemi shtim të rasteve të vdekjeve në punë. Kompensimet jetësorë duhet t’i paguajnë punëdhënësit. Gjykata kanë dhënë vendime e dënime absurde për kompensim jetësor, kanë qenë në shërbim të punëdhënësve”, u shpreh ai.
Haxhiu shtoi se Projektligji për Inpsketoratin e Punës është në fazën e dëgjimit publik dhe se ai i është dërguar Qeverisë, e pritet të kalojë në Kuvend.
