Aktuale
Për stadiumin “Fadil Vokrrin” duhet të ndahen edhe një milion euro

Rreth një milion euro është borxhi i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) ndaj kompanisë që ka kryer rinovimin e stadiumit “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Me shumën që duhet të paguajë MKRS-ja në dy muajt e parë të vitit të ardhshëm, vlera e investimeve në stadiumin e qytetit të Prishtinës shkon në rreth 10 milionë euro, shkruan sot Koha Ditore.
Dhe derisa borxhi nuk do të shlyhet, kompania nuk do ta japë pëlqimin për pranim teknik të punimeve. Stadiumi është lëshuar për përdorim pa u bërë pranimi teknik i punëve.
Ndërkohë, pa i shlyer borxhet për punët në “Fadil Vokrri”, MKRS-ja mendon të nisë investime të reja në “Adem Jashari” të Mitrovicës.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi ka thënë se pranimi teknik i punëve do të bëhet vetëm pasi të testohen edhe punët shtesë që ka kërkuar UEFA.
“Të gjitha obligimet rreth stadiumit janë duke u kryer këto ditë, kurse një pjesë e borxhit mund të mbeten për muajt janar dhe shkurt, meqë ashtu është e paraparë në kontratën e fundit, sepse janë duke u vendosur edhe disa pajisje të kërkuara nga UEFA në kontratën e fundit. Pasi t’i testojmë ia paguajmë edhe obligimet e fundit. Borxhi që kemi për të shlyer është 800 mijë euro, rreth nëntë milionë janë paguar, sepse shuma e përgjithshme e investimit është rreth 10 milionë euro”, ka thënë Gashi. Për punët shtesë të kërkuara nga UEFA nuk është bërë e ditur vlera e investimit.
Rinovimi i stadiumit të Prishtinës përfundoi në verën e këtij viti pas dy vjetësh punë
