Aktuale
Qytetarët e Gjilanit e kritikojnë Hazirin për zvarritje të disa projekteve

Në takim publik të kryetarit të Gjilanit, Lutfi Haziri, me qytetarë, të hënën, ai është përballur me kritika për ngecje në disa fusha.
Arton Fetahu nga fshati Pogragjë ka kritikuar pushtetin komunal se ka ngecur me punimet në palestrën sportive për nxënësit, dhe se banorët kanë probleme edhe me furnizim me ujë të pijshëm. “Për palestrën sportive, e cila është paraparë për 100 ditë punë, mirëpo u bënë 1 mijë ditë dhe ende nuk është kryer. Gjithashtu nuk kemi ujë të pijshëm ende”, ka thënë ai, shkruan sot Koha Ditore.
Qëndrim Kadriu ka potencuar mungesën e pjerrinave në institucionet shëndetësore në fshatin Pogragjë. “Në ambulantë nuk ka pjerrtësi dhe ne që kemi prind invalidor për një injeksion duhet me ardh në qytet për shkak se nuk ka pjerrtësi dhe nuk mundemi me hyp me karrocë. Dhe e dyta është për shërbime publike është se në kthesat e Pogragjës nuk ka mbrojtëse dhe ju e dini që aty para tre-katër vjetëve ka pasur edhe aksident me fatalitet”, ka thënë Kadriu.
Ndërsa Mustafë Jashari nga fshati Zhegër ka kërkuar investime në renovimin e tualeteve në institucionet shkollore. E Fehmi Ramabaja, përfaqësues i lagjes “Poredin”, ka deklaruar se banorët janë në pritje të investimeve për rregullimin e infrastrukturës.
Pasi që ka dëgjuar kritikat dhe ankesat e qytetarëve, kryetari Haziri ka thënë se do të vazhdojë me investimet. Ai është përpjekur t`i arsyetojë vonesat në zvarritjen e projekteve.
