Aktuale
Minnette de Silva: Arkitektja briliante që u harrua nga historia

Minnette de Silva ishte arkitekte e njohur ndërkombëtarisht, e konsideruar si pioniere e stilit modern arkitektonik në Sri Lanka të Azisë, e njëherish edhe anëtare e Institutit të Arkitektëve Sri Lanka.
De Silva ishte gruaja e parë nga Sri Lanka që u shkollua si arkitekte dhe gruaja e parë aziatike që u zgjodh bashkëpunëtore e Institutit Mbretëror të Arkitektëve Britanikë (RIBA), në vitin 1948.
Përkundër shumë kontradiktave, pionieria e modernizmit në Sri Lanka, gjatë vitit 1940 u bë një nga arkitektet më të njohura femra në botë. Por pse projektet e saj nuk festohen sot?
Shtëpia e projektuar nga Minnette de Silva e njohur si “Alfred House Gardens”, gjendet në një rrugë me gjethe në Colombo të Sri Lankës dhe është e mbuluar nga tymi i rrugës Galle, shkruan “The Guardian”, transmeton Ndërtimi.info.
Të ngritura në kolona ‘strehimet’ brenda shtëpisë me mur gëlqeror, përmbajnë forma të gjetheve në dyert e mëdha prej hekuri. Tek dyert gjenden edhe pemë të mëdha të cilat pothujse errësojnë plotësisht shtëpinë, e cila u ndërtua për miqtë e afërt të De Silvas, Pierises-ët, në vitin 1952.
Përbrenda shtëpisë ka edhe shumë gjurmë karakteristike të arkitektës së njohur; si në dhomat unike të katit të parë e të dytë, ashtu edhe në sallone e në kuzhinë. Oborret e hapura me veranda të gjalla e përplot pemë, hapësirat për argëtim që dikur përdoreshin si parkingje dhe kopshtet e gjera, ishin disa nga karakteristikat tjera të kësaj shtëpie.
“Dhomat e gjumit ishin një dhomë e madhe e ndarë nga dollapët prej druri. Ajri rrjedhte lirshëm përgjatë tërë hapësirës. Si fëmijë, ne flisnim me njëri-tjetrin mbi ‘muret’ e dhomave” , tregon në një prononcim djali i pronarit origjinal të kësaj shtëpie, nga famlija Pieris, Prianga Pieris.
Motra e tij, Malkanthi Perera, e cila jeton pranë tij u shpreh se shtëpia kishte një ndjenjë të mrekullueshme dhe se arkitektja përdori hapësirën në mënyrë shumë të dobishme.
Vajza e një politikani të njohur e njëherish edhe mikja e ngushtë e gjigantit arkitekturor Le Corbusier, Minnette de Silva ishte arkitektja e parë moderniste e Sri Lankës dhe gruaja e parë aziatike që u bë bashkëpunëtore e Institutit Mbretëror të Arkitektëve Britanikë, (RIBA)
De Silva e ndoqi ëndrrën për profesionin e zgjedhur pavarësisht kundërshtimit të babait të saj, duke shkuar së pari në Mumbai dhe më pas në Londër për të studiuar.
Ajo shfrytëzoi pamjen e saj ekzotike dhe pozicionin unik në AA (Architectural Association) për t’u nisur drejt njëshoqërie elitare. Brenda pak kohe u bë “Ajo Vajza” që në vitet e dyzeta flirtonte jo vetëm me Le Corbusier, por edhe me Henri Cartier-Bresson, Picasson dhe Laurence Olivier. Ajo nuk u martua kurrë, duke treguar më vonë se besonte që burrat ishin të mirë vetëm për t’ia mbajtur çantat dikujt.
Pas Sri Lanka u pavarësua në vitin 1948, De Silva u kthye dhe krijoi një studio në shtëpinë e saj familjare në St George- njëra nga të vetmet dy gra në atëbotë, që vendosi praktikën arkitekturore në emër të saj.
Prej andej ajo filloi projektimin dhe ndërtimin e gjithçkaje, nga shtëpizat deri tek vilat. Qëllimi i saj ishte të zhvillonte arkitekturën moderniste në harmoni me peizazhin dhe zejtarinë tradicionale.
Edhe pse e lindur në një familje të pasur dhe një anëtare e pamohueshme e elitës globale, ajo ishte e shqetësuar me më shumë se thjesht ndërtimin e shtëpive për miqtë e saj.
Përpjekja e saj për të bashkuar traditat artizanale me ndërtesat e saj moderniste siguroi që shpesh artizanët e varfër mund të fitonin një jetesë më të mirë nga puna e tyre.
Në vitin 1950 punoi për skemën e zhvillimit të strehimit për nëpunësit publikë në Kandy, qyteti i dytë më i madh i ishullit. Skema ishte inovative: De Silva u konsultua gjerësisht me banorët për të gjetur mënyrën se si donin të jetonin – informacionin që e mori e përdori për të hartuar lloje të ndryshme të strehimeve, disa prej të cilave ishin ndërtuar nga vetë pronarët e shtëpive.
Ajo eksperimentoi me metoda indigjene të tilla si gërmadhat dhe inkorporoi teknologjinë e dheut – një proces i përdorur gjerësisht për eko-shtëpitë e sotme – proces të cilin e përdori edhe për shtëpinë Fernando, të ndërtuar për zonjën CF Fernando.
E vendosur jug të Colomboas, shtëpia Fernando ishte produkt i hulumtimit të saj në ndërtime me kosto efektive.
Në një artikull të vitit 1955, De Silva shkroi: “Ne duhet të riorientojmë idetë tona për të jetuar në qytete të mbingarkuara si Colombo, ku nuk kemi hektarë të gjerë me pyje e salla me hapësira të gjera”, ishte shprehur ajo.
Shtëpia e Fernando është një kub kompakt, që në mes ka një shkallë qëndrore dhe veranda përreth dhe freskues të ajrit, të vendosur në hapësira të ndryshme të shtpëisë, përshtatur për një qytet ku temperaturat rregullisht kalojnë 30 gradë celsius.
“Ajo ishte një zonjë shumë e bukur dhe inteligjente. Ajo kishte sjellur shumë risi në ndërtim duke u përpjekur të krijojë projekte me çmime të ulta. Ishte shumë bashkëpunuese”, ka thënë Fernando, i cili ende jeton në atë shtëpi.
Kontributi i da Silvës në arkitekturë është pranuar me voneesë. Idetë e saj shpesh u kontestuan nga klientet dhe kontraktuesit e saj, për shkak se ishte shumë e pazakontë të shihej një grua duke punuar në atë profesion. Për dizajnin e saj për shtëpinë e Pierisit, ajo u detyrua që projektin e saj ta miratoi fillimisht një inxhiner në Londër, para se konraktuesi të pranonte që De Silva ta ndërtonte atë..
Këto pengesa ashpërsuan sjelljen e saj derisa një ditë u shpreh; “Unë u shkarkova sepse jam një grua. Unë kurrë nuk u morra seriozisht për punën time” ishte shprehur ajo asokohe.
Në vitin 1996, Instituti i Arkitektëve në Sri Lanka i dha De Silvas medaljen e artë.
Dy vite më vonë ajo vdiq e vetme në një spital në Kandy, në moshën 80 vjeçare pasi u rrëzua nga vaska, ku qëndroi për ditë të tëra përpara se trupi i saj të gjendej.
20 vite që nga vdekja e saj, studioja dhe shtëpia e saj në Kandy kanë mbetur buzë rrënimit./Ndërtimi.info/
