Aktuale
Shtupeqi i Vogël paralajmëron bllokim investimesh në Rugovë
Në kilometrin e shtatë të rrugës për në Rugovë, pa kaluar urën e hekurit, djathtas shfaqet një rrugë e ngushtë dhe në gjendje shumë të keqe, e cila shpie lart në fshatin e parë në këtë trevë, Shtupeq i Vogël.
Kjo rrugë e paasfaltuar është hapur para disa vitesh me kontribut të vetë banorëve të këtij fshati, të cilët kishin dhënë 80 mijë euro, shkruan sot Koha Ditore.
E pasi vetë e kishin hapur rrugën, banorët gjithashtu me vetë kontribut kishin financuar edhe një projekt ideor, me shpresën që atë rrugë ta asfaltojë komuna. Bashkë me atë projekt, komuniteti i këtij fshati kishte paraqitur kërkesën në komunë në vitin 2012.
“Në fshatin tonë nuk ka asnjë rrugë, përveç kësaj që e kemi hapur na vetë banorët, e që komunës me ia lehtësu pak edhe investimin. Me këtë bindje kemi paraqitur edhe kërkesën atë vit për rrugën e gjatë rreth 10 kilometra, prej rrugës kryesore te ura e hekurit deri në majë të fshatit që quhet ‘Qafa e qyqes’. Por ky projekt asnjëherë nuk është marrë parasysh nga komuna”, ankohet Ali Iberdemaj, përfaqësuesi i fshatit Shtupeq i Vogël, i cili fshat nuk ka asnjë rrugë.
Ai tregon se të gjitha këto vite nuk është investuar asnjë cent i vetëm nga komuna në infrastrukturën e këtij fshati, andaj banorët edhe kanë shpresuar që projekti i tyre, kur e kanë dorëzuar herën e parë në vitin 2012, të përfshihet në planifikimin buxhetor për vitin vijues.



