Aktuale
300 kompani në Konventën e Prodhuesve të Kosovës

Në Konventën e parë të Prodhuesve të Kosovës morën pjesë 300 kompani nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia, ku kjo konventë u shfrytëzua si platformë për diskutimin e tregtisë në mes Kosovës dhe shteteve të rajonit si dhe për bashkëpunimin ekonomik në mes këtyre shteteve.
Qëllimi i Konventës dy ditore të Prodhuesve është fuqizimi i sektorit të prodhimit dhe promovimi i produkteve “Made in Kosova”. Rritja e qasjes së këtyre produkteve në tregjet e huaja si dhe qasja në edukim dhe aftësimi profesional i të rinjve ishin temat kryesore të kësaj konvente të cilat u zhvilluan nëpërmjet sesioneve të ndryshme të kësaj konvente.
Pjesëmarrës tjerë në këtë konvente ishin prodhuesit dhe përfaqësuesit e bizneseve, përfaqësuesit e qeverisë dhe institucioneve shtetërore, përfaqësuesit e organizatave jo-qeveritare, donator të ndryshëm dhe përfaqësues të ambasadave të akredituara në Kosovë.
Gjatë ditës së parë të Konventës së Parë të Prodhuesve të Kosovës, u mbajtën disa sesione dhe tema kryesore e ditës ishte eksporti i produkteve Made in Kosova në tregjet e huaja.
Po ashtu gjatë ditës së parë Klubi i Prodhuesve lansoi platformën digjitale Made in Kosova, e cila është një ëeb platformë për promovimin e shërbimeve dhe produkteve kosovare anembanë botës dhe do të shërbejë për rritjen dhe zhvillimin e kompanive kosovare dhe t’i bëjë ato pjesë të zinxhirit të vlerave globale.
Dita e dytë e Konventës së Parë të Prodhuesve të Kosovës ishte më e fokusuar në edukimin dhe aftësimin profesional të të rinjve për sektorin e prodhimit.
Për më tepër, gjatë ditës së dytë të Konventës, Klubi i Prodhuesve prezantoi konceptin e KOCME – Qendra Kosovare për Përsosmëri të Prodhimit), e cila do të jetë një qendër moderne e trajnimit që do të mbështesë krijimin e vendeve të reja të punës dhe trajnimin profesional të të rinjve.
Mbajtja e Konventës së Prodhuesve të Kosovës u bë e mundur falë mbështetjes së Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, ndërsa u sponsorizua nga Projekti për Rritjen e Punësimit për të Rinj- EYE, Deloitte Kosova, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim – BERZH, ProCredit Bank, USAID EMPOWER Private Sector dhe projektit për Promovimin e Punësimit në Sektorin Privat (PPSE). Partner këta që me punën e tyre në vazhdimësi kanë përkrahur sektorin e prodhimit në Kosovë.
