Aktuale
U deshën rreth 3 vjet që të nisin punimet për palestrën në Zhegër

Në vitin 2016, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, së bashku me komunën e Gjilanit, kishin premtuar se do të nisin punimet për ndërtimin e palestrës sportive në fshatin Zhegër të komunës së Gjilanit.
I njëjti premtim ishte bërë vazhdimisht edhe gjatë vitit 2017, nga kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, i cili edhe e kishte nënshkruar kontratën me vlerë rreth 2 milionë euro.
Por, gurthemelet e kësaj palestre në fshatin me më së shumti banorë në komunën e Gjilanit, u vunë në muajin gusht të 2018-s.
“Punimet kanë filluar me datën 31.08.2018 në bazë të lejes së lëshuar nga Drejtoria e Urbanizmit në Gjilan si dhe koordinatave të dhëna nga e njëjta Drejtori për vendosje të objektit “Ndërtimi i Palestrës se Sporteve ne fshatin Zhegër”Gjilan. Projekti është i paraparë të përfundojë në bazë të planit dinamik për 18 muaj, pa e llogaritur sezonin e dimrit, i cili nuk lejon të punohet për arsye të kushteve jo të mira klimatike, respektivisht, bora dhe i ftohti”, ka thënë Arbër Ismajli, nënkryetar i komunës së Gjilanit.
Edhe pse nga zyrtarët komunalë u premtua që punimet në palestrën sportive në fshatin Zhegër do të vazhdonin me një intensitet me të lartë, deri tani kanë arritur të përfundohen vetëm themelet e kësaj palestre.
Por, disa banorë të këtij fshati, po shpresojnë që punimet e kësaj palestre të kryhen në afatin të cilin e kanë premtuar zyrtarët.
E pasi që punët për ndërtimin e kësaj palestre po ecnin shumë ngadalë, kjo çështje u ngrit edhe në kuvendin komunal të Gjilanit.
Asamblisti Xhelal Hajrullahu, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje ka kritikuar qeverinë aktuale se ndërtimin e palestrës sportive në këtë fshat, po e përdor vetëm për fushatë elektorale.
Ndërkaq, me propozim të qytetarëve të Zhegrës kjo palestër pritet të emërohet me emrin e dëshmorëve, Shaban e Sami Ukshini.
Edhe për palestrën sportive në Rahovec, ishte premtuar që do të përfundonte në afat të shkurtër, por edhe pas 10 vjetëve, punimet në atë palestër nuk kanë përfunduar.
