Aktuale
OSHP i anulon Prishtinës këtë tender

Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP) ka anuluar në tërësi tenderin për mirëmbajtjen verore të rrugëve dhe trotuareve në Komunën e Prishtinës.
Sipas vendimit të OShP-së, nëse Komuna e Prishtinës ka interes për ta zhvilluar këtë aktivitet të prokurimit, të njëjtin mund ta Ritenderoj.
“Anulohet në tërësi aktiviteti i prokurimit me titull ‘Mirëmbajtja verore e rrugëve dhe trotuareve në qytetin e Prishtinës-Lot II’, e iniciuar nga Komuna e Prishtinës dhe nëse edhe më tutje AK-ja ka interes për ta zhvilluar këtë aktivitet të prokurimit, të njëjtin mund ta Ritenderoj konform dispozitave të LPPsë”, thuhet në vendimin e OShP-së.
Ky vendim erdhi pasi OShP kishte pranuar ankesa nga operatorët ekonomik se në këtë tender ka pas shkelje të Ligjit të Prokurimit Publik (LPP), raporton Ndërtimi.info
Pas marrjes së ankesave, paneli shqyrtues konstatoi se asnjëri nga operatorët ekonomik nuk kanë dhënë çmim për njësi për këtë aktivitet të prokurimit. Bazuar në sqarimet dhe faktet paneli shqyrtues kërkon që dhënia e këtij tenderi të anulohet në pajtim me nenin 62 të LPP-së.
Po ashtu pas shikimit të dosjes origjinale në E-prokurim, paneli shqyrtues konstaton se Komuna e Prishtinës në listën e çmimeve ka vetëm dy kolona, atë të sasisë dhe çmimi me TVSH, pa e përcaktuar se ky çmim me TVSH a është çmim për njësi apo totali i çmimit.
E që këtu operatori ekonomik i rekomanduar për kontrata ka shtuar edhe një kolonë tek lista e çmimeve, duke bërë kështu ndërhyrje në dosjen e tenderit të Autoritetit Kontraktues.
Për tenderin që kap shumën e mbi 120 mijë eurove (119.882,99) që i është dhënë kompanisë “Toifor” Sh.P.K, kompania “VE-MOR” Sh.P.K ishte ankuar në OShP se Komuna e Prishtinës si Autoritet Kontraktues nuk ka respektuar nenin 1 të Ligjit të Ligjit të Prokurimit Publik (LPP).
Në ankesën e drejtuar OShP-së po ashtu thuhej se komuna nuk respektoi as nenin 6, 7 paragrafi 1,2,4, nenin 56, 59 paragrafi 4, nenin 60, 18.5, neni 61, neni 4.4 si dhe nenin 52 paragrafi 3, përcjellë Ndërtimi.nfo
Nëse shohim në platformën Prokurimi i Hapur, kompania TOIFOR në vitin 2018 nga 4 tenderë ka marrë mbi 1 milion euro (1,293,282.49). 3 tender të mara nga Komuna e Prishtinës dhe një nga Komuna e Podujevës. Ndërsa, në 2017 ka marrë 6 tender me vlerë mbi 1 milion euro (1, 289,959.94). Të gjitha punët korrospondojmë me punë ndërtimi, saktësisht me rrugë.
