Aktuale
Për shkak të problemeve me pronat, 13 familje jetojnë në ish-ndërtesën e burgut

Gjendja e rëndë ekonomike është bërë e padurueshme për familjen e Florentina Mehmetit.
Familja Mehmeti ka rreth 8 vjet që ka gjetur strehim në ndërtesën që dikur ishte burg, këtu në Gurakoc të Istogut, raporton KTV.
Bashkëshorti i Florentinës, kur vendosi të jetonte vetëm me gruan dhe fëmijët, nuk arriti ta trashëgojë pronën e përbashkët me vëllezërit e tij për shkak se nuk ishte në emrin e tyre.
Probleme të ngjashme pronësore ka edhe Fikrije Çakolli.
Ajo, pasi ishte ndarë nga bashkëshorti, nuk kishte arritur ta trashëgojë pronën sepse ajo nuk ishte e regjistruar në emrin e dy bashkëshortëve.
Çakolli tregon madje që prona nuk ishte as në emrin e burrit të saj dhe disa herë kishin pasur probleme me uzurpim.
Kështu, Çakolli u detyrua të gjejë strehim në këtë objekt.
Në gjendje të rëndë sociale e që kanë gjetur këtu strehim janë edhe disa familje tjera të komunitetet rom, ashkali dhe egjiptas, derisa aty jetojnë edhe dy familje shqiptare.
Në Komunën e Istogut thotë se ka një plan veprimi, por fillimisht do të mundohen t’u gjejnë strehim vetëm familjeve që janë banorë rezidentë të Istogut.
Pas zgjidhjes së problemit për strehim të këtyre familjeve, komuna planifikon ta rrënojë këtë objekt, i cili që nga paslufta ka shërbyer si shtëpi për shumë familje, kryesisht të komunitet rom, ashkali dhe egjiptas.
Sipas zyrtarëve komunalë, numri i familjeve vazhdimisht ka ndryshuar.
