Aktuale
Haliti kritikon taksën 100%, tregon rrezikun se çfarë hapi mund të marrë Serbia!

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti është deklaruar kundër vendosjes së taksës 100 për qind për produktet serbe. Ai ka theksuar se Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj është këshilluar gabim.
E që sipas tij shteti i Serbisë mund ta paditë Kosovën në Arbitrazh për vendosjen e taksës 100 për qind ndaj produkteve serbe, drejtë kjo që Serbisë ia siguron marrëveshja e CEFTA-s. Ai në emisionin Argumet Plus ka treguar edhe cilat mund të jenë pasojat në rast se Kosova e humb gjyqin.
Haliti është shprehur se taksa 100% për Serbinë dhe Bosnjën e Hercegovinën është vendim irracional dhe duhet korrigjuar.
“Mendoj se është këshilluar shumë keq kryeministri. Dhe po besoj që duke pasur besim në atë racionalitetin e tij së pari si kryeministër dhe në analizën që mund ta bëjë qeveria dhe koalicioni do të gjendet një rrugë e mesme për të mos u futur në konflikt me Bashkimin Evropian dhe Perëndimin. Kushdo që e ka marrë këtë vendim, kushdo që është marrë vesh me marrë këtë vendim. Serbia e ka të drejtën në bazë të marrëveshjes së CEFTA-s me padit Kosovën në Arbitrazh dhe në qoftëse Kosova e humb gjykimin sepse padia mund të jetë edhe e kompanive që kanë pas mallra të porositura. Nëse e humb Kosova gjyqin në Arbitrazh është e detyruar t’i paguaj dëmshpërblimet”, theksoi ai.
Nënkryetari Haliti po thotë se së pari duhet të zbatohen marrëveshjet ndërkombëtare, dhe nëse kjo nuk zbatohet atëherë ai thotë se e humb edhe autoritetin si shtet para bashkësisë ndërkombëtare.
“Kryeministri, kryetari i shtetit, i parlamentit ata mbajnë karriget e udhëheqësve. Shteti funksionon jo mbi bazën e qëndrimeve të kryeministrit dhe presidentit por janë një varg çështje që duhet të merren parasysh. Së pari duhet të zbatohen marrëveshjet ndërkombëtare. Në qoftëse ti nuk i zbaton marrëveshjet ndërkombëtare ti e humb autoritetin si shtet para Bashkësisë Ndërkombëtare. Çka do me thënë? Ne duhet të kryejmë detyrat e shtëpisë që t’i bindim ata që kanë me votu qoftë për Interpolin, qoftë për OKB-në, qoftë për anëtarësimin në Këshillin e Evropës., qoftë për liberalizmin e vizave, ne duhet t’i bindim ata që ne jemi më të mirë se Serbia. Unë po besoj që kur e kemi parasysh këtë duhet shumë me kujdes të veprojmë dhe shumë me kujdes të marrim veprime. Nuk është gabim që vendimet e këqija t’i ndryshojmë”, tha Haliti.
Megjithatë, Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka ri-deklaruar se nuk do të tërhiqen deri sa shteti i Serbisë nuk e njeh Kosovën.
Që të hiqet taksa prej 100 për qind për mallrat e importuara nga Serbia dhe Bosnja e ka kërkuar edhe përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.
Duke e quajtur “shkelje të marrëveshjes së CEFTA-s”, Mogherini ka thënë se ky vendim është kundër frymës së Marrëveshjes për Stabilizim Asociim mes BE-së dhe Kosovës.
“Vendimi i Qeverisë së Kosovës për të rritur taksën ndaj mallrave të importuara nga Serbia dhe Bosnja për 100 për qind është shkelje e pastër e CEFTA-s dhe frymës së Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim mes Bashkimit Evropian dhe Kosovës. Ajo përkeqëson situatën pas vendimit të parë prej 10 për qind javën e kaluar. Qeveria e Kosovës duhet menjëherë të anulojë këto vendime”, ka thënë ajo.
Po ashtu edhe Qeveria e kancelares Angela Merkel ka bërë thirrje që Republika e Kosovës të ndalë luftën tregtare me Serbinë, duke sinjalizuar se Evropa është e shqetësuar për tensionet e reja në Ballkan që cenojnë përpjekjen shumë vjeçare për pajtim.
