Aktuale
Objekti i Muzeut të Pavarësisë ishte përdoruar edhe për diçka tjetër

Vetë ndërtesa dhe gjithçka ndodhet e ekspozuar në të, përfaqësojnë një nga momentet më të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar. Por, ky objekt u shpall Muze Kombëtar me rastin e 50 vjetorit të shpalljes së pavarësisë.
Muzeu Pavarësisë u përurua ne 28 nëntor të vitit 1962 me rastin e 50 vjetorit te shpalljes se pavarësisë kombëtare. Ndërtesa gjatë vitit 1913 ishte vend pune për qeverinë shqiptare, për rreth 6 muaj. Më 28 nëntor 1913 këtu u festua përvjetori i parë i pavarësisë. Nga viti 1936 deri në fillimet e Luftës se Dytë Botërore, ka shërbyer si muze historik kombëtar.
Muzeu është i pajisur me dokumente, fotografi e objekte origjinale, që pasqyrojnë përpjekjet e luftërat e popullit Shqiptar për çlirim kombëtar. Në të jepet mundësia te shohësh kabinetin e punës si dhe sallën e mbledhjeve të qeverise provizore të Ismail Qemalit, flamujt origjinal të çetave kryengritëse dhe mjaft relike të kohës.
Ndërtesa e Muzeut te Pavarësisë është ndërtim i shekullit te XIX. Porsa i përket formës së saj, është forme e thjeshtë katërkëndëshi. Ndërtimi është me dy kate, me hyrje nga dy anë, njëra nga hyrjet me pamje nga deti ndërsa tjetra ne drejtim te kundërt me të. Objekti përmban dhe një ballkon me pamje nga deti (përmbi hyrjen kryesore). Sa i përket materialeve kryesore të përdorura, janë druri dhe guri. Çatia është me konstruksion druri dhe e mbuluar me tjegulla. Muret janë të ndërtuar me gurë, kati i dytë është i shtruar me dysheme druri ndërsa i pari me pllaka. Muret kanë karakter mbajtës. Dyer, dritare dhe grila janë në dru. Ballkoni i shtruar me pllaka dhe parapet prej druri është i mbështetur veç te tjerash ne dy kollona me seksion rrethor, kollona te cilat i japin një formulim me dinjitoze hyrjes kryesore për në objekt.
Objekti është i shpallur monument kulture ne vitin 1963. Objekti shquhet për vlera të mëdha historike e kombëtare, lidhur me Qeverinë Provizore te Ismail Qemalit, lidhur me shpalljen e pavarësisë.
