Aktuale
VV-ja vendos cungje nëpër stacione autobusësh, akuzon Ahmetin se harroi premtimin e dhënë

Aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë vendosur disa cungje nëpër stacionet e autobusëve në mungesë të ulëseve për qytetarët. Fillimisht këtë e kanë bërë në stacionin përballë New Bornit derisa kanë vazhduar edhe nëpër stacionet tjera.
Aktivisti Egzon Azemi ka thënë se me këtë aktivitet duan të tregojnë se premtimet që kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ua ka bërë qytetarëve nuk po realizohen.
“Pritoret e reja të stacioneve të autobusëve janë një nga premtimet e harruara të kësaj qeverisje. Reformimi i transportit publik me linja të reja, biletat e integruara e të kombinuara me parkingje jashtë qytetit ka qenë premtim kyç edhe në programin e vitit 2017. Bllokada në Kuvend komunal pamundësoi që kjo të bëhet në mandatin tonë të parë ndërsa tash edhe pse arritëm më shumë punë arritëm ta sigurojmë shumicën në Kuvendin komunal ndryshime në këtë fushë nuk po shihen”, është shprehur ai, raporton Koha Ditore.
Azemi, i ka numëruar disa nga premtimet e kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti të bëra vitin e kaluar me ç’rast ka thënë e nuk po shihen rezultate.
“Shpendi gjatë balotazhit të vitit të kaluar premtoi se në vitin 2018 do të përfundojnë reformat për transportin publik të cilat do të përfshinin edhe pritoret e reja me ulëse e strehë moderne, me wi-fi e harta moderne të orareve të linjave. Tani jemi në fund të vitit 2018 dhe një gjë e tillë jo që nuk ka përfunduar por as që ka nisur. Pritoret për autobus jo që nuk kanë wifi e GPS por as ulëse për qytetarët”, ka theksuar Azemi.
Sipas tij, Komuna e Prishtinës ka fonde të mjaftueshme por po mungon vullneti për të qeverisur ndershëm.
“Andaj në mungesë të pritoreve të premtuara ne po ulemi në cungje derisa të vijnë autobusët”, ka shtuar ai.
