Aktuale
Galicë, banorët kundër shpronësimit për minierë

Pronarët e tokave në fshatin Galicë të Vushtrrisë po kundërshtojnë shpronësimin e pronave të tyre për minierë.
Pronarët po ankohen edhe te Qeveria që sipas tyre mori vendim që në pronat e tyre të nis nxerrja e mineraleve pa u mbajtur dëgjim publik.
Ankesat për këtë vendim iu dërguan të gjitha institucioneve të përfshira në këtë çështje, por nuk morën asnjë përgjigje. E kjo ka bërë që këta banorë të kenë dyshime për manipulime.
“Është bërë manipulim i madh, dhe ne për asnjë çmim nuk e japim tokën tonë sepse nuk është e askujt po është e jona”, tha njëri nga banorët.
Bilem ata nuk do të pranojnë as shpronësimin edhe pavarësisht premtimeve që kanë marrë.
“Këtu po flitet që punësohen 100-200 persona. Por ne nuk jemi të interesuar për këtë, por që të paguhet toka jonë”, tha tjetri banor.
Leje për hulumtim në këtë zonë kishte marrë kompania nga Polonia “BISEK”. Në Agjencinë e Regjistrimit të Biznesit kjo agjenci thuhet të ketë seli në Fushë Kosovë. por nuk po del të jetë ashtu.
KlanKosova ka kontaktuar persona në këtë kompani të cilët kanë thënë se tashmë janë zhvendosur në Poloni dhe nuk gjenden në Kosovë.
Dyshime për këtë kanë edhe banorët. Ata kanë thënë se kanë kërkuar adresa për këtë kompani por një gjë e tillë qe e pamundshme.
Ndërsa, Ministri i Mjedisit Fatmir Matoshi përmes telefonit i ka thënë KlanKosovës se ky nuk është një vendim përfundimtar dhe se po presin nga Ministria e Financave që të jap vlerësim për tokat. Ndërkohë, Matoshi ka shtuar se kjo minierë është në interes nacional dhe se banorët duhet të pranojnë procesin e shpronësimit, ndërsa për ankesat që kanë t’i drejtohen gjykatës.
