Aktuale
Dyshime për uzurpim të një rrugice në “Arbëri”

Mbyllja e një rrugice në lagjen “Arbëria” të kryeqytetit mund t’ua ndërpresë mësimin nxënësve të kësaj lagjeje, pasi banorët ankohen se në mungesë të saj fëmijët duhet të përdorin një rrugë më të gjatë dhe më të rrezikshme. Ata dyshojnë se rrugica është uzurpuar nga një banor tjetër. Ata kërkojnë lirimin e saj, ndërsa Komuna thotë se është duke punuar për të sqaruar nëse bëhet fjalë për uzurpim, raporton 038 e KTV-së.
Banorët e lagjes “Arbëria” në Prishtinë po mendojnë që t’ua ndërpresin mësimin fëmijëve të tyre në shkollën “Mehmet Gjevori”.
Shkak për këtë është bërë mbyllja e rrugicës në rrugën “Ismail Qemaili”, të cilën nxënësit e kanë përdorur si alternativë më të shkurtër për të mbërritur më shpejt në shkollë.
Banorët dyshojnë se kjo rrugicë është uzurpuar nga një banor dhe, sipas tyre, tani fëmijët po rrezikojnë jetët e tyre duke u detyruar të përdorin një rrugë tjetër e cila frekuentohet shumë nga qentë endacakë.
Ata, përmes një peticioni me mbi 60 nënshkrime, i kanë kërkuar komunës që ta sqarojë këtë situatë dhe ta hapë rrugicën. Në të kundërtën, kanë thënë se janë të detyruar t’i ndalin fëmijët nga shkolla.
“Kërkesa e banorëve është që Inspektorati i Komunës ta konsultojë edhe kadastrin, të vërtetojë saktësisht a është kjo pjesë e uzurpuar, nëse është ta hapin rrugën për të shkuar nxënësit më shkurt në shkollë, sepse në këtë pjesë ka shumë qenë endacakë që mund ta rrezikojnë jetën e fëmijëve gjatë shkuarjes në shkollë”.
“Kjo rrugë është shumë e shkurtër në krahasim me rrugët që duhet me shku deri në fund të lagjes për me u sjellë rrotull dhe me ardhë te shkolla. Këtu nuk i ka as 50 metra larg”.
Përveç nxënësve, kjo rrugicë është përdorur edhe nga banorët tjerë për të dalë në Parkun e Arbërisë. Por, pas mbylljes së saj, ata thonë se nuk e shfrytëzojnë këtë hapësirë gjelbëruse sikur më herët.
“Një pjesë e lagjes kemi kaluar këtu për të dalë te parku, masnej si është mbyllur më nuk dalim në park. Është me të drejtë të hapet kjo rrugicë, një numër bukur i madh i fëmijëve kalojnë këtu afër dhe nuk janë të kërcënuar prej qenëve që të dalin nga rruga e vorreve ose ana tjetër. Nëse u mundësohet fëmijëve të kalojnë, atëherë me të vërtetë është lehtësim i madh, s’kanë nevojë që të frikësohen”.
Komuna thotë se është duke e shqyrtuar kërkesën e banorëve. Kryetari Shpend Ahmeti u ka premtuar banorëve se nëse bëhet fjalë për uzurpim, atëherë rrugica do t’u kthehet sërish.
“Jemi duke e shikuar edhe me Drejtorinë e Pronës, ta shikojmë në kadastër, nëse ka qenë pronë komunale ajo pjesë e rrugës do të lirohet. Nëse është pronë private po mundohemi që ta vërtetojmë. Atëherë do të shohim cilat janë mënyrat më të mira për të bërë zgjidhje, por e kam marrë këtë kërkesë dhe do ta shqyrtojmë, jo vetëm për shkak të kohës që e kalojnë fëmijët për të shkuar në shkollë, por edhe për shkak të sigurisë së nxënësve”.
Ahmeti ka komentuar edhe paralajmërimet e banorëve për ndaljen nga shkolla të fëmijëve të tyre.
“Është e drejtë e prindërve të kujdesen edhe për fëmijët e tyre, ndërsa është detyrë e imja që të shikoj që gjithçka po bëhet në mënyrë ligjore. Nëse ato janë prona komunale do t’i lirojmë nga uzurpimet që mund të jenë aty”.
Banorët kanë thënë se nuk e njohin personin që dyshojnë se e ka uzurpuar rrugicën. Pavarësisht tentimeve, ekipi i emisionit “038” nuk ka arritur të kontaktojë dhe të marrë qëndrimin e tij.
