Aktuale
Taksa 100% i ktheu të gjithë kamionët me material ndërtimor nga Serbia
Taksa 100 për qind që Qeveria e Kosovës vendosi si masë ndaj produkteve serbe, ka bërë që importi nga shteti fqinj të bie si kurrë më parë. E, kjo taksë ka ndikuar edhe në importin e materialit ndërtimor.
Si pasojë e kësaj takse më në vendin tonë nuk ka hyrë asnjë material ndërtimor nga Serbia.
Se importi i materialit ndërtimor nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina për momentin zyrtarisht është në nivelin zero, për Ndërtimi.info e ka bërë të ditur zëdhënësi i doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci.
“Prej vendosjes së masës mbrojtëse nuk kemi parë hyrje të këtyre produkteve, pasi nuk ka leverdi ekonomike. Sipas vendimit të Qeverisë vetëm brendet lejohen të hyjnë pa pagesën e taksës”, ka thënë ai.
E, në mesin e produkteve, që nuk zbatohet taksa, është materiali ndërtimor blloka të bardhë, brendi gjerman “ymalko ytong (xella)” nga kompania “Ymalko”.
Derisa më 21 nëntor taksa u bë 100 për qind, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë në fillim të këtij muaji mori vendim që për herë të parë të vendoset 10 për qind taksë ndaj produkteve serbe dhe ato nga Bosnja e Hercegovina.
Ndërsa, vitin e kaluar Kosova i kishte vendosur Serbisë masë mbrojtëse në importin e produkteve ndërtimore prej argjile. Sipas këtij vendimi për bllokat të cilët importohen nga Serbia duhet të paguhet taksë shtesë nga 2 cent për një bllok./Ndërtimi.info/



