Featured
Gjatë ndërtimit të autostradës është hasur në varreza në Han të Elezit, pritet zhvendosja tyre
Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës është marrë një vendim i cili lidhet me autostradën “Arbën Xhaferi” në drejtim të Maqedonisë.
Qeveria ka marrë vendim për shqyrtim të mëtejmë të kërkesës për shpronësim për interes publik të pronave të cilat preken nga ndërtimi i Lokacionit të “Varrezave” – zona kadastrale Neqavc, Komuna Hani i Elezit, raporton Ndërtimi.info.
“Ky vendim është kërkuar nga Ministria e Infrastrukturës, për implementimin e projektit ‘Ndërtimi i Autostradës Prishtinë-Hani i Elezit’, pasi që gjatë zhvillimit të projektit zbatues për segmentin C3 tek kyçja Doganaj-Hani i Elezit, në afërsi të Hanit të Elezit janë identifikuar një numër i madh i varrezave, ku do të kalojë traseja e Autostradës të cilat edhe përkundër punimit të disa varianteve teknike gjatë fazës së projektimit nuk ka pasur mundësi të anashkalohen”, thuhet në kumtesën e Qeverisë së Kosovës.
Duke pasur parasysh që kjo është çështje e ndjeshme dhe në mënyrë që të krijohet mundësia për realizimin e projektit, Komuna Hani i Elezit në bashkëpunim me Bashkësinë Islame dhe Komunitetin kanë caktuar lokacionin i cili do të jetë destinuar për varreza.