Aktuale
Ende pa përfunduar punimet shembet trotuari, Komuna e Malishevës thotë se po merren me rastin

Në fshatin Bellanicë të Malishevës është duke u rregulluar trotuari. Mirëpo, punët nuk shkojnë si duhet. Ende pa përfunduar në tërësi punimet, ka filluar të shembet trotuari. Në lidhje me këtë shembje banorët kanë reaguar, ndërsa në Komunën e Malishevës thonë se janë duke u marr me këtë rast, shkruan Ndërtimi.info.
Kanë mjaftuar reshjet e shiut të ditëve të fundit që ky trotuar të dëmtohet.
Alban Krasniqi, nga Lëvizja Vetëvendosje në Malishevë ka reaguar në lidhje me këtë, duke e quajtur troturin më të çuditshëm në botë, e lënë fajtor Komunën.
“Komuna e Malishevës ndërton trotuaret më të çuditshme në botë! Kur bie shi trotuaret marrin formën e valëve të detit. Pa plan, pa cilësi, pa mbikëqyrje, pa vlerësim…veç tender me %”, ka shkruar ai.
Shembja e trotuarit ka ndodhur dy ditë para se të shtrohen kubëza. Këtë për Ndërtimi.info e kanë bërë të ditur në Komunën e Malishevës për Ndërtimi.info.
“Shembja e trotuarit ka ardhur si pasojë e punimeve tjera të bëra dy ditë para se të shtrohen kubëzat! Po shtrohen trotuar në fshat dhe projekti është në realizim e sipër. Po sigurisht që kanë dalë për inspektim dhe aktualisht janë hequr kubëzat nga ajo pjesë ku është dëmtuar”, thuhet në përgjigjen e Komunës.
Punimet për rregullimin e trotuarit në Bellanicë janë duke u zhvilluar në kuadër të projektit që përfshinë disa fshatra. Këto punimet kanë filluar gjatë verës dhe pritet që të përfundojnë brenda vitit. /Ndërtimi.info/
