Aktuale
Prezantohet në Prishtinë ekspozita me fakte të arkitekturës socialiste shqiptare

Ekspozita “UNDER PRESSURE – Facts of Socialist architecture in Albania”, që shpërfaqë realitetin e arkitekturës shqiptare gjatë trysnisë së realizmit socialist, është paraqitur sot para publikut në Galerinë Kombëtare të Prishtinës.
Ky hulumtim kërkimor 3 vjeçar që sjellë fakte nga arkitektura e kohës së komunizmit, është realizuar nga Denada Veizaj, Gjergj Islamim, Gjergj Thomai dhe Enrico Fontanari, e që në Kosovë u soll falë bashkëpunimit me Eliza Hoxhën dhe Ilir Gjinollin.
Arkitektja Eliza Hoxha gjatë prezantimit të fakteve të akritkekturës socialiste shqiptare tha se periudha e cila trajtohet në ekspozitë ka pasur mjaft dallime në Kosovë dhe në Shqipëri, e që siç tha ajo secili kontekst i ka diferencat e veta dhe është e rëndësishme që ato të rishikohen.
“Periudha që trajtohet ka mjaft shumë dallime në mes të asaj që ka ndodhë në Kosovë dhe asaj që ka ndodhë në Shqipëri. Secili kontekst i ka diferencat dhe është e rëndësishme t’i rishikojmë dhe të kuptojmë pse kanë ndodhur top ngjarjet. Një gjë e rëndësishme është se gjithçka ishte nën ombrellën e shtetit. Toka ka qenë e posedume prej shtetit dhe ndërtimet kanë qenë të posedume prej shtetit. Pak dimë për kontekstin e komunizmit dhe socializmit”, u shpreh Hoxha.
Ndërkohë drejtuesja e Departamentit të Arkitekturës në Fakultetin e Arkitekturës, në Shqipëri, Denada Veizaj u shpreh se ky projekt lindi si kuriozitet por që edhe ngjalli kuriozitet të madh.
Ajo theksoi se projekti përbëhet nga dy histori, ajo që ka ndodhur gjatë komunizmit dhe marrëdhënia që arkitektura në atë kohë e kishte me shtetin.
“Lindi si kuriozitet arkitekturor se cila ishte rutina e arkitektëve të gjeneratës para viteve 1990. Kuriozitet që u shndërrua në kuriozitet kërkimor. Ky është viti i 4-të që po merremi me këtë hulumtim dhe ekspozita e 3-të e këtij projekti. Projekti kishte kuriozitet të madh. Ky projekt përbën gurin e mohuar në mozaikun e mohuar të komunizmit dhe ka dy histori; njëra ajo kontekstuale me atë se çfarë ka ndodhur gjatë komunizmit dhe historia e dytë më gjenerike, marrëdhënia që arkitektura ka me shtetin”, ka thënë ajo.
E arkitekti Gjergj Islami u shpreh se derisa bota perëndimore zhvillonte kapitalizmin, në Shqipëri zhvillohej socializmi dhe arkitektura kishte një sërë elementesh të komunizmit.
“Në komunizëm ka një sërë elementesh të veçanta të cilat janë të lidhura me arkitekturën. Shqipëria ishte e izoluar për vite të tëra. Shkolla e parë e arkitekturës u hap në vitin 1969 dhe shumica e profesorëve ishin inxhinierë ata nuk patën kontakt me botën e jashtme deri në vitin 1990. Ndërkohë që bota perëndimore zhvillonte kapitalizmin, bota lindore zhvillonte socializmin dhe Shqipëria ishte në këtë të fundit. Bota perëndimore po zhvillonte modernizmin. Shqipëria nuk ishte pjesë e saj dhe zhvillonte arkitekturën socialiste”, u shpreh Islami.
Kjo ekspozitë për herët të parë është prezantuar në Venecia më 2017, për herë të dytë poashtu në Itali në qytetin Pescara, e do të vazhdojë të prezantohet edhe në disa vende tjera.
