Aktuale
Shoqata e Ndërtimtarëve thotë se Ministria e Punës lejon punën pa skele, inspektorati mohon

Se kompanitë ndërtimore në vend mund të vazhdojnë të kryej punët e tyre edhe nëse nuk kanë skele mbrojtëse, por vetëm gjatë këtij sezoni, s’mund të bëj në një zë dy palët. Kryetari i Shoqatës Ndërtimtarëve dhe Prodhuesve të Materialit Ndërtimor, Faton Hoxha thotë se vendimi është zotuar të merret, ndërkohë kryesinspektori i Punës Basri Ibrahimi ka mohuar një gjë të tillë.
Faton Hoxha ka thënë se këtë zotim e ka bërë ministri i Punës, Skender Reçica, gjatë një takimi.
“Ministri është zotu që kushdo që i plotëson kushtet minimale të sigurisë do të vazhdojnë punimet. Kjo është vetëm për këtë sezon, pastaj ndryshon. Zotimi është dhënë nga ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica. Skelet nuk janë kusht, pra vetëm kushtet minimale, parmakë e të tjera”, ka thënë ai.
Hoxha ka thënë se për këtë janë njoftuar nga Oda Ekonomike e Kosovës, pasi takimi me ministrin Reçica është mbajtur me kryetarin e OEK, Berat Rukiqi. Ndërsa, Ndërtimi.info ka provuar të marrë një deklaratë nga Rukiqi, por nuk ka arritur.
Mirëpo, Hoxha ka shtuar se inspektimi nga ana e Inspektoratit të Punës do të vazhdojë, por punimet nuk do të ndërpriten për shkak të skeleve, por vetëm në rast se në vend punishtet e kompanive ndërtimore nuk ka siguri minimale sipas rregullores së MPMS.
Sipas tij do të bëhet ririnspektim, ku do të ketë përfaqësues të shoqatës apo të OEK.
Kjo, ka ardhur pas kërkesës së adresuar nga Shoqata e Ndërtimtarëve dhe Prodhuesve të Materialit Ndërtimor, që mos të ndalen punimet për shkak të skeleve, por vetëm në rast se nuk plotësohen kushtet minimale të sigurisë, që parashihen me rregulloren e MPMS-së.
Ndërsa kryeinspektori i Punës, Basri Ibrahimi ka thënë për Ndërtimi.info se nuk kanë pranuar një vendim të tillë nga Ministri Reçica dhe se nuk e beson që ministri do ta marrë një vendim të këtij lloji.
“Nuk e di, nuk kam diçka zyrtare dhe nuk besoj që e ka marrë ministri këtë vendim”, tha Ibrahimi.
Ndryshe, nga aksioni i Inspektoratit të Punës në regjionin e Prishtinës janë ndërprerë punimet në 101 vend punishte ndërtimore, si pasojë e mungesës së skeleve dhe kushteve të sigurisë në punë. Ndërsa, pas Prishtinës, aksioni ka vazhduar në regjionin e Gjilanit, e cili sipas planit të Inspektoratit të Punës do të vazhdojë në gjithë Kosovën.
Ndërkaq, aksioni i Inspektoratit të Punës ka ardhur si pasojë e shtimit të vdekjeve në vendin e punës. Vetëm në periudhën kohore janar-tetor (2018) në vendin e punës kanë humbur jetën 19 punëtorë të ndërtimtarisë dhe dhjetëra tjera janë lënduar./Ndërtimi.info/
