Infrastrukturë
Qytetarët e Pozheranit dhe Sadovinës kërkojnë rregullimin e infrastrukturës rrugore
Komuna e Vitisë, ka vazhduar dje me ciklin e diskutimeve publike për planifikimin e buxhetit komunal 2018-2018, në Pozheran dhe Sadovinë të Çerkezëve.
Fillimisht gjatë këtij takimi banorët janë njoftuar me draft buxhetin komunal për vitin në vijim dhe ndarjen e saj në kategoritë e ndryshme buxhetore, në veçanti edhe në kategorinë e Investimeve kapitale.
Në pjesën e dytë të këtij takimi banorët kanë shprehur kërkesat dhe nevojat e tyre për investime.
Zv.kryetari i komunës së Vitisë, Hasan Aliu gjatë këtyre diskutimeve publike bëri me dije se Komuna e Vitisë, mbetet e vendosur që listën e investimeve kapitale të bëjë në bashkëpunim me qytetarët e saj, duke potencuar se nevojat e qytetarëve janë më të mëdha sesa mjetet buxhetore.
“Jemi të vendosur të bëjmë ndarjen e drejtë të buxhetit komunal. Por duhet të kemi parasysh se kemi lokalitete ku nevoja për investime janë më të mëdha, por gjithashtu duhet të kemi parasysh se për vitin në vijim në kategorinë e investimeve kapitale janë 2 milionë e 213 mijë euro dhe sigurisht se po të investonimin këto mjete vetëm në një lokalitet prapë do të kishim kërkesa nga qytetarët”, u shpreh zv.kryetari Aliu.
Kurse Ibrahim Rama, drejtor për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim tha se 90% e buxhetit komunal në vlerë prej 9 milionë e 800 mijë euro vjen nga niveli qendror dhe se ajo ndahet në tri kritere bazë si: numri i banorëve, numri i nxënësve dhe vizitat mjekësore në institucionet shëndetësore.
E Naim Pira, Kryesues i Kuvendit Komunal të Vitisë, i cili mori edhe pjesë në diskutimin publik për planifikimin e buxhetit komunal në Pozheran tha se institucionet komunale kanë realizuar disa projekte më rëndësi në këtë lokalitet duke përmendur ndërtimin e Qendrës së Mjekësisë Familjare, ndërtimin e sheshit, asfaltimin e disa rrugëve lagjore, pavarësimin e shkollës si dhe projektin për ndërtimin e objektit të ri shkollor si dhe stadiumin.
Kurse pozheranasit kërkuan që komuna e Vitisë, të bënë asfaltimin e disa rrugëve lagjore, të vendosët një pikë e shërbimit të zjarrfikësve dhe shpëtimit, të bëhet ndriçimi publik nëpër lagje si dhe që qendra kryesore e mjekësisë familjare në Pozheran të pajiset me një autoambulancë e cila do të ishte 24 orë në gjendje gatishmërie për rastet emergjente.
Gjithashtu ata kërkuan që të shikohen mundësitë buxhetore dhe të bëhet ndërtimi i një çerdhe, të ndërtohet trotuari nga shkolla e parë shqipe deri të “Ura e Kurteshit”, të bëhet rregullimi i disa rrugëve bujqësore si dhe të bëhet kyçja e të gjithë qytetarëve në rrjetin e ujësjellësit dhe kanalizimit.
Kurse banorët e fshatit Sadovinë të Çerkezëve, kërkuan që të realizohen disa projekte infrastrukturore si asfaltimi i rrugëve lagjore, në veçanti segmenti i rrugës së “Rekofcit”, të bëhet kyçja individuale e qytetarëve në rrjetin e ujësjellësit, të ndërtohet një trotuar për sigurinë e nxënësve, të bëhet rregullimi i rrugëve bujqësore si dhe të bëhet ndriçimi publik në gjitha rrugët e fshatit.