Aktuale
Me gabimet rreth pronave të AKP-së në veri do të merret ligji, thotë Veseli

Nëse ka pasur gabime në lidhje me pronat e AKP-së, që i janë dhënë në shfrytëzim komunave serbe, me këtë çështje do të merret ligji.
Kështu tha kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli pas mbledhjes së Kryesisë, në të cilën u vendos për mbajtjen e seancave të Kuvendit të enjten e të premten.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka deklaruar se Serbia po jep para të mëdha për t’i bindur vendet e caktuar për të votuar kundër anëtarësimit të Kosovës në Interpol, megjithatë është shprehur optimist që kësaj radhe Kosova do të pranohet në këtë institucion të sigurisë.
Veseli këto komente i bëri pas mbledhjes së Kryesisë, me ç’rast bëri të ditur se gjatë kësaj jave do të mbahen dy seanca parlamentare,një e jashtëzakonshme të kërkuar nga LDK e LV për çështjen e politikës së jashtme të Kosovës dhe në të njëjtën kohë do të kemi ditën e premte vazhdimin me pikat e mbetura, një seancë të re plenare nga ora 14:00, në të cilën janë të përfshira të gjitha ligjet, përkatësisht draftligjet të cilat janë aktualisht në listën e pritjes për agjendën e reformave evropiane, tha ai.
Sipas tij, komisionet parlamentare janë duke punuar mirë dhe se gjatë këtij viti janë miratuar 65 projektligje.
Ai është shprehur i bindur se Kosova do të anëtarësohet në Interpol dhe se do të ndodhë transformimi i FSK-së në ushtri. Për këtë të fundit nuk ka dhënë datë të caktuar. Sipas tij, kjo do të ndodhë shumë shpejt dhe në partneritet me bashkësinë evropiane.
Në lidhje me pronat e AKP-së që i janë dhënë në shfrytëzim komunave serbe, ai tha se nëse ka pasur gabime, ligji do të merret me këtë çështje.
“Koalicioni do të qëndron për aq sa interesi dhe nevoja e qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe ne do ta vazhdojmë që të mbrojmë interesat e vendit, anekënd Kosovës. Në të njëjtën kohë ta integrojmë dhe avancojmë pozitën e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran tek vendet e Bashkimit Evropian dhe tek vendet e NATO-s. Ligji do të respektohet në përpikëri. Në qoftë se ka probleme të cilat ndërlidhen drejtpërdrejt me moszbatimin e ligjit, mund të siguroj si lider i këtij koalicioni se do të ketë respektim qind për qind të asaj të cilën e nxjerr vendim Gjykata Kushtetuese dhe ligjet në fuqi. Në qoftë se ka pasur gabime e konstaton Gjykata Kushtetuese, do të kemi edhe rikthim të çështjeve të cilat janë në vendin e duhur”, tha Veseli.
Kadri Veseli madje është shprehur i bindur se do të ndodhë edhe liberalizimi i vizave gjatë muajit dhjetor të këtij viti. Ai ka thënë se janë përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim të vizave, duke shtuar se kjo çështje është teknike dhe jo politike dhe se nuk ka arsyeje që të ndodh e kundërta.
