Aktuale
Unaza e Re, Veliaj: Nuk ka shpronësim për lotot e lavazhet pa leje

Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj i është përgjigjur akuzave të Partisë Demokratike lidhur me protestën e banorëve tek Unaza e Re, të cilët kërkojnë dëmshpërblim për banesat që do t’u shemben.
Nga Vaqarri, njësia e re që i është bashkuar Bashkisë së Tiranës pas ndarjes administrative, Veliaj tha se PD është bërë për të ardhur keq.
Duke sqaruar se pronarët që preken nga Unaza e Madhe do të shpronësohen, kurse për ndërtimet pa leje do të ketë 3 vite bonus qeraje dhe banesa sociale, Veliaj solli disa shembuj se si në ajo zonë është zaptuar nga llotot, lavazhet, gomisteritë dhe “shtëpi” me 8 kate pa leje.
“E kuptoj kur nga nevoja njeriu ndërton shtëpi për të jetuar, por 8 kate nuk është nevojtar, o miqtë e mi! Pse duhet t’ia marrë qeveria, bashkia lekët modeste të taksave dikujt në Vaqarr dhe në vend që të bëjmë shkollën këtu, në vend që të bëjmë rrugën, duhet t’i japim lekë dikujt që thotë ‘jam den baba den’ në një shtëpi me 8 kate, ku qartazi as i ka mbaruar 8 katet? Protestuesi më i madh Eurolloto! Po pse duhet njerëzit që s’luajnë baste të shpronësojnë një lloto?! Pse mos bëjmë një kopësht në Vaqarr, po duhet të japim lekë për lloto? Pse do heqim lekët e çerdheve për të shpronësuar një pikë bastesh, a ma thoni dot?! Për çfarë po protestojnë? Ky lavazhi ishte trotuar, i ka vënë vetëm këtë tendën portokalli dhe thotë më shpronësoni. Po kë të shpronësojmë more? Trotuari ishte i yni, i të gjithëve. Lekët do t’ia japim për shtëpinë, kush nuk ka asnjë letër, do t’i japim shtëpi sociale. Kush nuk ka asnjë gjë në botë, do t’i japim 3 vite qira falas. Të ndezin zjarr sa të duan, të djegin goma sa të duan, por fatin e familjeve dhe fëmijëve të këtij qyteti e kemi vetë në dorë. Ose do të shkojmë përpara dhe do të ecim me zhvillimet e Tiranës ose do të ngelemi mbrapa dhe nuk do e kapim kurrë veten”, deklaroi Veliaj.
Ai tha se opozita sjell nga qytetet e tjera militantë të saj për të penguar projektet zhvilluese të qytetit të Tiranës. “Pashë protestën, të gjithë me Range Rover parkuar tek sheshi “Skënderbej”. Ka ardhur dita që vihet me Range Rover në protestë për varfërinë, e kuptoni apo jo? Është fyese për inteligjencën e njerëzve dhe për të gjithë këto kauza që si të babëzitur, në pamundësi për të kapur ndonjë votë shkojnë e kapin kauza të dështuara. Kauza për të bllokuar investimet në Tiranë është një kauzë e dështuar. Qyteti, civilizimi, kultura, perëndimi, modernizimi gjithmonë fitojnë mbi dhunën”, tha ai.
Veliaj solli edhe rastin kur në protestat e dhunshme para Bashkisë së Tiranës morën pjesë ish-efektivë të Gardës në ngjarjen e 21 janarit, të ardhur nga Burreli. “Shoh protestën për Unazën, s’kishte asnjë banor atje. Ishte gjithë FRPD dhe kryetari i PD-së së Burrelit, nga ata që ishin tek Garda në 21 janar, që vranë njerëzit me plumba në mish. Vjen nga Burreli, proteston për rrugën në Tiranë! Pyetja që unë kam për PD: S’ju ka mbetur asnjë simpatizant në Tiranë, që mund të protestojë? Duhet patjetër me i sjellë nga rrethe të tjera që të kundërshtoni punën në Tiranë? Kaq keq ka ardhur puna, që partia që solli pluralizmin në Shqipëri nuk gjen dot një protestues nga Tirana dhe duhet ta ndyjë qytetin me dhunë, me zjarr, me plehra, me goma që digjen, me njerëz që vijnë nga qytete të tjera? Fakti që qytetet që PD i ka falimentuar dhe i përdor vetëm për militantë për të bllokuar punët në Tiranë, tregon se ata janë në këtë ditë të zezë dhe ne jemi në drejtimin e duhur”, theksoi Veliaj.
Kryebashkiaku Veliaj e cilësoi të dështuar kauzën e opozitës për të bllokuar investimet në Tiranë, me qëllimin e vetëm për të përfituar vota. “Një nga gjërat që më trishton shumë është që sa herë që bëhet një punë e mirë, plas një sherr i madh. Më kujtohet këndi i lojërave, nga Presidenti në atë kohë e gjithë PD, kundër lojërave. Kur ia tregon dikujt jashtë thotë: Po mirë, si mund të jesh kundër lojërave të fëmijëve? Nuk di si ta shpjegoj, si mund të ketë sot forca politike kundër lojërave!? Jam i bindur për një gjë: 99.99 % e Tiranës, e shqiptarëve, duan drejtësi, duan shtet, respektojnë njëri-tjetrin dhe unë nuk pranoj të identifikohem me një parti të dhunshme, që është vetëm 0.01%, e cila po shkon pikiatë dhe sjell njerëz me autobusë për të shkatërruar Tiranën tonë”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku u shpreh se Unaza e Madhe është një nga investimet më të rëndësishme për Tiranën, një segment tepër i rëndësishëm, i cili do të lehtësojë ndjeshëm qarkullimin e automjeteve në kryeqytet. Veliaj theksoi se çdo ditë në kryeqytet mbërrijnë banorë të rinj dhe qyteti ka nevojë të zgjerohet më tej. “Është një gjurmë që diskutohej që në kohën e Adil Çarçanit, pa rënë sistemi. Tirana do e ketë një Unazë të Madhe, duhet t’i zgjatet shtylla kurrizore përtej bulevardit të kohës së fashizmit, me një Bulevard të Ri. Njerëzit po vijnë në Tiranë. Atëherë, çfarë do bëjmë? Do u themi: s’kemi vend, u mbyll, u bllokua dogana? Jo, destini i këtij qyteti është të rritet. Kam qenë në disa lagje, duke filluar nga zona që ndan Kombinatin me Vaqarrin tek zona tjetër në Pezë, me njerëz që kanë ardhur nga e gjithë Shqipëria, nga Hasi e Saranda, nga Shkodra e Gjirokastra; e bukura e Tiranës është se ka vend për të gjithë”, u shpreh kryebashkiaku, duke shtuar se për të përballuar këtë rritje, Tirana ka nevojë për më shumë rrugë, kopshte, shkolla dhe ujësjellës.
