Aktuale
FOL gjen parregullësi në procesin e autostradës Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë

Procesi i ndërtimit të Autostradës Prishtinë- Gjilan- Dheu i Bardhë po përcillet me disa parrëgullësi nga Ministria e Infrastrukturës. Nga parregullësitë kryesore të këtij procesi nënvizohet mungesa e theksuar e transparencës.
Kushtrim Hajzeri
Kështu ka konkluduar Lëvizja FOL nga monitorimi i procesit të ndërtimit të kësaj autostrade, raporton Ndërtimi.info.
Sipas të gjeturave të kësaj lëvizje, Ministria e Infrastrukturës ka ofruar dokumente të pjesëshme, që i shtojnë dyshimet për keqpërdorime të mundshme gjatë realizimit të kësaj kontrate, sidomos mos-qasja në Planin e Menaxhimit të Kontratës.
Parregullsitë e identifikuara nga FOL përfshijnë edhe mungesën e planit të prokurimit, i cili do të duhej të kishte paraparë ndërtimin e autostradës, vonesa në fillimin e punimeve, dyshime rreth kohëzgjatjes së punimeve nëse janë 30 muaj total apo 30 muaj ditë pune.
Në kuadër të gjetjeve nga ky monitorim hyn edhe vonesat në procesin e shpronësimit dhe lejimi i ndërrimit të pronësisë së parcelave, në zonat kadastrale të prekura nga shpronësimi, deri në momentin e nxjerrjes së vendimit përfundimtar nga ana e Qeverisë së Kosovës.
Në procesin e shpronësimit për këtë autostradë janë paraparë të përfshihen 2 mijë e 906 metra katrorë.
Mirëpo, sipas FOL-it, në lidhje me shpronësimin e pronave, Qeveria e Kosovës ka marrë dy vendime të cilat nuk përputhen mes vete. Në vendimin preliminar si zona kadastrale të prekura nga shpronësimi paraqiten Banulla, Sllovia dhe Smallusha nga komuna e Lipjanit, Donratini nga Komuna e Graçanicës, Kufca e Epërme, Koretosha, Parallova nga komuna e Novëbërdëa dhe Bresalci, Poneshi dhe Zhegoci nga komuna e Gjilanit.
Por, në vendimin përfundimtar të Qeverisë nuk përfshihen të gjitha këto zona për shpronësim. Në këtë vendim nuk janë përfshirë zonat kadastrale të Dobratinit të komunës së Graçanicës dhe zonat e Kufcë e Epërme dhe Kortishë të komunës së Novëbërdës.
Elbasan Racaj nga FOL-i tha se ka mundësi qe Qeveria ende të marrë një vendim tjetër përfundimtar.
“Zyrtarë në Ministrinë e Infrastrukturës thonë se procesi i shpronësimit nuk ka përfunduar edhe pse punimet knë filluar. Qeveria ka mundesi të marrë një vendim përfundimtar e të përfshihen edhe tri zona kadastrale. Dëgjimi publik me qytetarët janë mbajtuar, por procesverbalet jnë shumë të shkurta”, tha ai.
Drejtori për Gjeodezi në Komunën e Lipjanit, Safer Tasholli ka treguar për parregullësitë që janë identifikuar në këtë komunë gjatë procesit të shpronësimit.
“Zyrtarisht nuk e kemi marrë trasenë nga do të kalojë. Nga ne kryesisht është tokë pjellore dhe do të kemi telashe sepse bujqëve do tu ndahet toka dhe do të ketë vështërsi. Nuk e kemi marrë definitivisht vendim që MInistria e Financave e ka dërguar listën e shpronësimit. Gjatë shpronësimit ka pas parregullësi. Dikush ka ble prona në momentin që është marrë vesh kah do të kalojë autostrada”, tha ai.
Ndërsa, drejtori për Gjeodezi dhe Kadastër në Gjilan, Sadudin Berisha theksoi se edhe këtë komunë janë nënvizuar disa parregullësi në këtë proces.
“Kemi probleme për shkak të shitblerjeve që janë kryer më herët. Në momentin që është kuptuar për autostradën kanë filluar t’i rregullojnë këto çështje. Gjatë këtij viti ka pasur transaksione më shumë, kryesisht trashëgimi, kontratë mbi faljen e më pak shitblerje. Në libra kadastral kemi parë që ka pasë shitblerje në mes familjarëve. Organi i shpronësimit në afat rekord e ka nxjerr vendimin”, tha ai.
Në raportin e prezantuar sot, gjithashtu potencohet se në disa nga pronat ku kalon kjo autostradë ka ndryshim të pronarëve varësisht se a kanë qenë blerës, trashëgimtarë apo pronën e kanë fituar si dhuratë.
